‘Koncert Festiv’ me rastin e 17-të vjetorit të Pavarësisë në Tiranë, interpretojnë Adelina Paloja, Merita Rexha dhe Ansambli Oketi Plus

12 Shkurt, 2025 - 9:09 pm

Me rastin e 17- vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, nën organizimin e Ambasadës së Kosovës në Tiranë do të mbahet “Koncert Festiv” me sopranon Adelina Paloja dhe Ansamblin Okteti Plus, nën përcjelljen e pianistes Merita Rexha Tershana.

Sopranoja Paloja interpretimin në “Koncertin Festiv” të 17-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e ka cilësuar si moment krenarie, në të cilin do të shpalosen kryevepra e repertorit kombëtar dhe botëror.

“Do të ndaj skenën me Merita Rexha Tershana pianiste e shkëlqyer dhe Profesoreshë e Universitetit të Arteve në Tiranë, një moment krenarie e me ngjyra muzikore nga repertoari botëror dhe kombëtar i pasuruar dhe me Ansambli Vokal Okteti Plus të mrekullueshëm të cilët shquhen për harmoninë kolegiale sikur edhe në interpretim.

Ky koncert po mbështetet dhe organizohet me dashuri dhe përkushim nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, në krye me Ambasadorin z. Skënder Durmishi, që gjithmonë kanë qenë një mbështetje plot dinjitet për kulturën dhe artin tonë”, ka shkruar sopranoja Paloja në rrjetin social “Facebook”.

“Koncerti Festiv” do të mbahet më 14 shkurt, në ora 19:00, në Sallën e Universitetit të Arteve-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” (Tiranë)./ KultPlus.com

Të ngjajshme