26 Qershor, 2019 - 1:47 pm
Në objektin e Komunës së Prishtinës, u mbajt konferenca për media në të cilën u shpalosën detaje rreth koncertit të madh që fillon sonte nga ora 20:00. I pranishëm ishte edhe dirigjenti i famshëm nga Japonia Toshio Yanagisawa, i cili tha se është i kënaqur që ndodhet në këtë ngjarje kaq të madhe. Ai foli edhe për Betovenin, të cilin e cilësoi si kompozitor të përbotshëm, e falënderojë të gjithë për punën dhe bashkëpunimin. Dirigjenti Baki Jashari foli gjerësisht rreth koncertit dhe organizimit të tij. “Do të jetë një koncert madhështor me mbi 110 performues që do të ngjiten sonte në skenë. Si përfaqësues i Filharmonisë, falënderoj Komunën e Prishtinës dhe kryetarin Shpend Ahmeti me stafin e tij për përkrahjen e vazhdueshme të kësaj ideje“, tha Jashari fillimisht duke vazhduar “ky koncert me përmasa të tilla po organizohet pikërisht në 20 vjetorin e çlirimit dhe ndërhyrjes së NATOS që është e rëndësishme për mbarë popullin shqiptar. Filharmonia e Kosovës ka kohë që ka menduar ta sjell veprën grandioze të kompozitorit të madh Betoven Simfoninë nr. 9, në një datë të veçantë dhe vendosëm për këtë datë. Më herët nuk kemi organizuar diçka të ngjashme me këtë sonte, prandaj jemi të entuziazmuar. Komuna na ka ndihmuar për ta vendosur atë skenë të madhe dhe presim një mbrëmje të paharruar“.
Në këtë ngjarje pritet të jenë të pranishëm mbi 1500 njerëz, dashamirës të muzikës klasike. Për veprën e Betovenit dhe tekstin e poetit gjerman Fridrih Shiler u fol gjatë kësaj konference, ku u potencua se teksti i Shilerit dhe kompozimi i Betovenit proklamojnë paqen kudo nëpër botë. Edhe mezosopranoja Vikena Kamenica, e cila do të jetë pjesëmarrëse në këtë koncert tha se ndihet e lumtur dhe e emocionuar të paraqitet sonte në Prishtinë. “T’i rikthehemi veprës së Betovenit është gjë e bukur, në shtetin e Kosovës, në sheshin me simbolikë të madhe. Gjithçka është menduar mirë dhe pritja është e jashtëzakonshme për një koncert ashtu siç shteti kosovar e meriton. Betoveni është mbreti, ashtu më pëlqen ta them, janë të tërë instrumentet dhe në fund fare futet dhe vokali për ta bërë akoma më madhështore paraqitje. dhe për t’i vënë atë pikën e bukur dhe efektin e madh” u shpreh ajo. Baritoni Armando Likaj, tha se ndjehet i privilegjuar që do ta shkel sonte skenën e madhe prishtinase. “Jam i privilegjuar ta ndaj skenën me Vikenën dhe gjithë të tjerët. Falënderoj maestron Toshio, i cili ka bërë punë të madhe në detaje, edhe pse nuk ka qenë e lehtë. Por me dashamirësi dhe forcë të palodhur ajo u realizua. Falemnderit edhe orkestrës e cila është e mrekullueshme” përfundoi ai. Koncerti do të fillojë nga ora 20 dhe pritet të ketë interesim të madh. / Bujar Meholli/ KultPlus.com