4 Qershor, 2024 - 5:57 pm
Një koncert madhështor me titull “50 vjet zëri i kombit” do të mbahet në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë, për të shënuar 50 vjetorin e karrierës së artistes Shkurte Fejza, shkruan KultPlus.
Ky koncert është organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”.
Përmes një njoftimi publik ansambli “Shota” ka bërë ftesë për pjesëmarrje për të festuar me zërin që për 50 vite ka përfaqësuar kombin shqiptar:
“Ju ftojmë të merrni pjesë në koncertin madhështor të artistës ikonë të këngës shqipe, znj. Shkurte Fejza me titull “50 vjet zëri i kombit”.
Kjo ngjarje e veçantë muzikore është organizuar nga MKRS-dhe AKKV “Shota”. Mos humbisni mundësinë për të përjetuar një mbrëmje të paharrueshme plot me muzikë, mbamendje dhe emocion.
Bashkohuni me ne për të nderuar dhe festuar trashëgiminë tonë muzikore!”, thuhet në një shkrim të publikuar nga AKKV “Shota”.
Koncerti mbahet më 8 qershor, në ora 20:00, në Sallën e Madhe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com