22 Korrik, 2023 - 4:20 pm
Pas shumë protestave në urën e zogut në Milot, u organizua një koncert për të tërhequr vëmendjen për gjendjen e strukturës që shkon drejt rrënimit.
Koncerti mbi urë, solli tinguj kitare mbi objektin monument kulture të kategorisë së parë, ku ishte dhe Princ Leka Zogu.
“Patjetër që ura e Zogut në familjen tonë ka një rëndësi të veçantë. Lidhet drejtpërdrejtë me ndikimin që ka pasur mbreti Zog në Shqipëri. Dhe uroj që kjo urë të mbetet një simbol, e të mbetet pjesë e trashëgimisë historike të shtetit shqiptar dhe kulturës tonë.”– tha Princ Leka
Organizatori i këtij aktivitetit dhe njëherazi aktivist Elton Laska thotë se ky aktivitet vjen si një thirrje për restaurimin e Urës së Zogut e cila u premtua që në muajin maj, por ende punimet s’kanë filluar
“Këtë dëmtim që sot shikoj, shpeshherë njerëzit thonin janë të PD-së këta tek ura, tani do thonë janë me mbretin. Ne kemi Bajram dhe Pashkë por Shqipërinë e kemi të gjithë bashkë”- tha Elton Laska Aktivist
Ura e Zogut është një nga asetet e trashëgimisë kulturore shqiptare, e ndërtuar në vitin 1927 e që prej asaj kohe nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Vitet e fundit moti i keq e ka rënduar gjendjen e strukturës./KultPlus.com