28 Janar, 2018 - 6:30 pm
Më 1 shkurt në qytetin e bukur të Dubrovnikut, mezzosopranoja kosovare Flaka Goranci, do të jetë mysafire në koncertin e organizuar për ditën e madhe të qytetit të Dubrovnikut dhe ditën e shenjtorit Vlaha.
Një gjë të tillë e ka treguar për KultPlus, vetë Goranci, duke thënë se do të interpretojë nën përcjelljen e orkestrës simfonike të Dubrovnikut.
“Pjesëmarrës të koncertit i cili do të mbahet në Katedralen e Shën Mërisë, do të jenë edhe tenori Tomislav Tuksa dhe Kori i Dubrovnikut. Dirigjent i këtij koncerti do të jetë dirigjenti kroat Frano Krasovac ndërsa koncerti do të ketë veprën premierë Oratorion nga kompozitori kroat Tomaso Resti”, pohoi për KultPlus Flaka Goranci.
Flaka Goranci këndon dy zërat solo nga kjo vepër, atë soprano dhe mezzosoprano. Poashtu, ajo do të interpretojë edhe tri pjesë solo bashkë me orkestrën simfonike, si “Ave Maria” – Caccini, “Domine Deus”-Vivaldi dhe “Laudamus te” nga kompozitori austriak Mozart.
Orkestra simfonike e Dubrovnikut ka një aktivitet të gjerë internacional, prandaj edhe për Flaka Gorancin një ftesë e tillë është e një rëndësie të madhe. Koncerti mbahet më 1 shkurt me fillim nga ora 20:00. Foto: Peter Rauchecker/ KultPlus.com