8 Qershor, 2019 - 3:56 pm
Këngëtari i mirënjohur Alban Skenderaj dhe ekipi i tij mbajtën një konferencë ku shpalosën detajet rreth koncertit madhështor me titull “Hapësira e një ëndrre”, që do të jepet më 19 qershor në sallën “1 tetori” në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Këngëtari tha ndihet i lumtur sa herë që ndodhet në Prishtinë për të performuar, por data 19 qershor do të jetë e një rëndësie të veçantë.
“Ky event është i veçantë, ku do të ketë bashkim të disa rrymave si folk duke u nisur nga muzika popullore, pastaj pop, r&b. Kam prapa një orkestër simfonike të mirëfilltë” potencoi fillimisht, duke vazhduar “Jam jashtëzakonisht entuziast, është bërë një punë e madhe por edhe sfida është po ashtu e madhe, megjithatë kjo sfidë na emocionon dhe na inkurajon. Prishtina është një qytet që e do dhe e mirëpret artin. Do të jetë gjë e bukur dhe shpresoj se çdo gjë do të shkojë mirë”, u shpreh Skenderaj.
Gjersa organizatorja e koncertit Uarda Koçi foli rreth organizimit, kërkesat për bileta dhe pikat ku mund të merren ato.
“Biletat mund të porositen edhe online në Pentagram.al, po ashtu edhe në pikën fizike që e kemi vendosur në sallën ‘1 tetori’ në pjesën e biletarisë. Jemi drejt fundit, gjithçka është gati dhe interesimi është mjaft i madh, por kanë mbetur edhe disa vende” tha ajo duke i inkurajuar adhuruesit e muzikës së Alban Skenderajt që t’i sigurojnë biletat.
Orkestra e madhe që do të jetë prapa Albanit drejtohet nga Shkumbin Bajraktari, i cili pati fjalë të mira për instrumentistët për të cilët tha se janë ndër më të zgjedhurit, po ashtu potencoi se disponimi është i mirë dhe se janë të kënaqur që do të performojnë me Albanin.
Mes tjerash, Bajraktari tha “Është bashkëpunim i veçantë. Jam munduar me i gjet instrumentistët më të mirë që ka Kosova. Provat po ecin mirë. Brenda kemi edhe pedagog të muzikës që vijnë nga Fakulteti i Arteve dhe them se atmosfera brenda orkestrës është shumë e mirë”.
Ky koncert është konsideruar si ngjarje kulminante e karrierës së Alban Skenderajt, i cili e konsideron koncertin si një ëndërr të realizuar. Salla “1 tetori” në Prishtinë, pritet të mbushet me admirues të muzikës së Albanit nga gjitha trojet shqiptare dhe premtohet një natë e paharruar me emocione të veçanta.BujarMeholli/KultPlus.com