4 Mars, 2019 - 5:41 pm
Gili Hoxhaj
Krejt hapësira e Sallës së Kuqe ishte e mbushur me publik. Jo shumë larg tyre, vijnë instrumentistët e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës. Duartrokitjet e mirëpresin dirigjentin amerikan Gregory Charette që tash e disa herë e dirigjon lojën e instrumentistëve nga po kjo skenë.
Ndryshe nga çdo koncert tjetër, skena ngadalë zhytet në errësirë që merr pak nuanca të së kuqes. Violina e Visar Kuçit është nikoqire e minutave të parë të koncertit, ai del nga ana e djathtë e perdeve e bën pak hapa larg saj. Brenda tre minutave harku i tij lëviz me goxha intensitet.
Pas kësaj, krejt vëmendja zhvendoset diku tjetër. Ndriçimi mbi partiturat e thyen pak pamjen e errët. Loja e harkorëve nis në zbërthim të veprës “Fratres” e kompozitorit estonian Arvo Part, vepër që është kompozuar për violinë dhe orkestër harqesh dhe perkusione. “Fratres” e kompozuar në vitin 1977 është vepër pa orkestrim fiks dhe përshkruhet si set hipnotizues i variacioneve në një temë, që kombinon aktivitetin e çuditshëm dhe heshtjen sublime. Tingujt që sjell kjo vepër deri në të sosur, mbrëmë shoqëruan një kapitull të dhimbshëm të luftës së Kosovës. Përmes muzikës, ato erdhën si ballafaqim me dhimbjen e zhgënjimin që vazhdon e rritet brenda mureve të familjarëve të të pagjeturve.
Ekrani i vendosur prapa instrumentistëve, i sjell shumë afër shprehjet e fytyrave të tyre që nuk dallonin, dukej sikur ato vetëm kalonin nga një personazh tek tjetri. Ka 20 vite që ndajnë pikëllimin e zhgënjimin e njëjtë. Fotografitë e Atdhe Mullës, përcjell me rrëfimet në formë titrash dukej sikur familjarët e të pagjeturve po e ndanin zbrazëtinë e tyre me secilin veç e veç.
Pamja e personazheve në fotografi, shoqëruar me muzikën e Part-it e bënë audiencën që ta ngrij shikimin në ekran, shumë prej tyre iu dorëzuan emocioneve që ngjallën këto video-ekspozita. Loja e Patris Berishës në përkusione, tingëllonte si trokitje e herë pas hershme në këtë kapitull të shoqërisë. Kur ekrani fiket, e dritat ndizen, dora e dirigjentit kishte mbetur si e ngrirë lart. Ndryshe nga pjesët tjera të koncertit, në pjesën e parë koka e tij qëndronte më shikimin poshtë, në formë përkulje për dhimbjen që shfaqej në ekranin përballë tij.
Video-ekspozitat janë prodhim i Intergra-s dhe forumZDF. Ato fillimisht qenë prezantuar në formatin e video-ekspozitave me fotografi të realizuara nga Atdhe Mulla dhe regji të Kushtrim Koliqit. Në shkurt të vitit 2019, këto fotografi u instaluan në një hapësirë institucionale (Kuvendi i Kosovës) ku dialogu për ta është domosdoshmëri dhe obligim për t’i dhënë fund pritjes së tyre të përhershme.
Drejtori i Integra-s, që ka bërë regjinë e video-ekspozitave, Kushtrim Koliqi tregoi se fillimisht ideja e këtij koncepti kishte ardhur nga menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj me të cilën kanë bashkëpunuar edhe më herët. Ai thotë se e kishin mirëpritur këtë ide pasi që qëllimi i tyre është që rrëfimet e trashëgimisë së luftës e njerëzve të pagjetur të arrijnë sa më pranë publikut dhe si të tilla duhet të tingëllojnë si kambanë për krejt shoqërinë.
“Puna jonë që ne e bëjmë për të pagjeturit, për trashëgiminë e luftës duhet që gjatë tërë kohës të tingëllojë si kambanë dhe neve kushdo që na jepë atë hapësirë, e shfrytëzojmë pozitivisht atë platformë. Në këtë rast Filharmonia e Kosovës është treguar shumë e ndjeshme dhe ka treguar një indikacion që shoqëria jonë edhe pas 20 vitesh nuk duhet më i harru disa borxhe që i kemi ndaj të kaluarës”, tha regjisori Kushtrim Koliqi për KultPlus.
Koliqi theksoi se edhe pse ka qenë vazhdimisht pjesë e realizimit të video-ekspozitave dhe e emocionojnë secilën herë, atmosfera që ngjalli kjo mbrëmë e ka bërë që t’i duket sikur ato po i sheh për të paren herë.
“Nuk e ndjejsha që unë i kam prodhuar ato, erdh një format dhe energji krejt tjetër që është e pakalkulueshme. Fuqia që erdh sonte mes Filharmonisë së Kosovës dhe videoekspozitave tona është e pamatshme dhe pakalkulueshme”, tha Koliqi për KultPlus.
“Nga errësira në dritë”
Pas veprës së parë, publiku kaloi në një dimension tjetër muzikor. Vepra “Koncert për alt saksofon dhe orkestër Op.26” e Paul Creston e solli Dardan Gjinollit si solit pranë orkestrës së Filharmonië. Vepra lëvizi në tri pjesë, tingujt e të cilave përshtateshin me identifikimin e tyre si: energjike, medituese dhe ritmike. Kjo vepër ishte goxha impenjative për solistin i cili për pothuajse gjysmë ore e solli atë me një frymë me orkestrën.
Gjinolli i cili lëvizte varësisht nga tingujt që vinin nga instrumenti që mbante, jo dhe rrallë mbizotëroi sallën. Ai po kthehej pas dhjetë vitesh për të bashkëpunuar me Filharmoninë e Kosovës, ndërsa tha se duke qenë se vepra që interpretoi mbrëmë njihet si më të vështirat për saksofon, atij i ka marrë mjaft shumë kohë e energji.
“Mund të them që kjo vepër më ka marrë rreth 6 muaj për ta sjell në këtë formë si erdhi sot por ka qenë një mbrëmje kur tërë mundi është shpërblyer. Koncerti ka qenë shumë i vështire por dua ta falënderoj edhe Filharmoninë e Kosovës që kanë bërë një punë të mrekullueshme dhe jam me fat që kjo mbrëmje e ka dirigjuar Gregory Charette”, tha Gjinolli për KultPlus.
Charette i cili dirigjoi këtë mbrëmje, pak pas koncertit për KultPlus tha se këtë mbrëmje do ta titullonte “Nga errësira në dritë”, pasi që përmes muzikës tregohet se e kaluara nuk duhet të harrohet por gjithnjë duhet të ecësh kah e ardhmja.
“Ka qenë shumë emocionuese të kalosh nga vepra e parë në të dytën, ishte paska e vështirë në aspektin psikologjik pasi që edhe fotograitë dhe teksti ishin shumë e fuqishme dhe më pas u desh të kalonim në muzikën me saksofon që është më ritmike”, tregoi Charett për KultPlus.
“Valle simfonike nga “Tregim nga perëndimi” është vepra e njohur Leonard Bernstein, që e kishte kompozuar mes vjeshtës së vitit 1955 deri në verën e vitit 1957, ndërsa premierën e parë e pati në 1957 në Ëashington. Pas një pauzë, orkestra e Filharmonisë së Kosovës u kthye përsëri në vend dhe goxha më e madhe në numër, krahasuar me veprën e parë kur nisi koncerti. Vepra erdhi me ritmike, duke sjell goxha gjallëri, ndërsa në fund të saj dirigjenti e bën edhe publikun pjesë të saj.
“Mendoj se energjia e audiencës këtu është shumë e veçantë, unë ndihem shumë i mirëseardhur këtu dhe po e them për të disaten herë se po ashtu ndihem shumë i lidhur me muzikantët. Veprat komunikuan shumë mirë me publikun sonte”, tha dirigjenti Charett për KultPlus.
Vepra e Bernestein-it kishte qenë një shtytje që kompozitori Valton Beqiri mos ta humbiste këtë koncert. Pas përfundimit të koncertit, ai tha për KultPlus se ky koncert është dalluar nga koncertet e tjera të Filharmonisë.
“Besoj që vepra e fundit e Bernsteinit është një vepër mjaft e vështirë sa i përket aspektit stilistik megjithatë mendoj se Filharmonia e Kosovës i ka realizuar me sukses edhe veprat e tjera, vecmas këtë të Bernsteinit. Kjo intencë e Filharmonisë të eksplorojë dhe ta sfidojë veten është e rëndësishme jo vetëm për publikun por edhe instrumentistët e Filharmonisë që në forma të ndryshme zhvillohen dhe jemi të gjithë dëshmitarë që Filharmonia e Kosovës po arrin nivelin e konsiderueshëm edhe stilistik dhe artistik”, theksoi Beqiri.
Filharmonia e Kosovës sjell koncertin e radhës në fund të kësaj jave, më 10 mars duke filluar nga ora 20:00 në sallën e kuqe të Filharmonisë së Kosovës./ KultPlus.com