11 Tetor, 2018 - 1:30 pm
Me datën 20 tetor, kësaj radhe kori i femrave nga qyteti i Pejës “Siparantum” do të udhëtojë përsëri në Kroaci me ç’rast do të paraqitet në sallën më të njohur të vendit “Hrvatski Glazbeni Zavod” – Zagreb, shkruan KultPlus.
“Ky koncert për neve është më ndryshe meqë kësaj radhe udhëtojmë vetëm me korin e femrave dhe programi është krejtësisht më ndryshe se herave të kaluara. Do të paraqitemi me një program të laramanishëm nga kompozitorë të njohur botëror dhe shqiptarë, dhe kjo dëshmon punën tonë të vazhdueshme dhe dita ditës repertori jonë po bëhet më i pasur, dëshmi e punës së korit Siparantum”. Puna nuk ka qenë punë aspak e lehtë meqë ne është dashur të ndërtojmë një program krejtësisht të ri, për këtë u jam mirënjohës gjithë anëtarëve të korit për sakrificën e tyre., u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i korit.
Koropetitor i programit është Agron Shujaku, pianist i njohur nga Prishtina. Koncerti organizohet nga këshilli i pakicës kombëtare shqiptare i qytetit të Zagrebit. Ky është koncerti tetë dhe udhëtimi i tretë në Kroaci me korin Siparantum.
Përgjatë këtyre tre viteteve me korin Siparantum janë zhvilluar koncerte të shumëta në vend dhe jashtë vendit, së fundi kori u paraqit në festivalin “Prishtina International Vocal Festival”.
Sot kori i qytetit të Pejës “Siparantum” posedon korin e fëmijëve, korin e meshkujve, korin e femrave, korin e përzier dhe orkestrën kamerale./ KultPlus.com