1 Nëntor, 2021 - 7:00 pm
Era Berisha
Interpretimi i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, mbrëmë nëpërmjet veprave operistike kombëtare dhe atyre botërore, duke përfshirë këtu ariet, koralet, uverturat dhe duetet e ndryshme, erdhi me inkuadrimin e sopranos Adelina Paloja, baritonit Armando Likaj, sopranos Arta Jasharit, sopranos Besa Llugiqit, mezzosopranos Flaka Gorancit, sopranos Kaltrina Miftarit, tenorit Liridon Sadriut dhe sopranos Zana Abazit, të cilët ndezën skenën si yje ndriçuese që po shpërthenin në secilën sekondë, prej momentit kur ora shënoi 19:10, shkruan KultPlus.
Koncerti inaugurues i Institucionit të Operës së Kosovës, i titulluar si “Opera Gala” portretizoi një literaturë operistike që fillimisht mbrëmë Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, shënoi nisjen e këtij koncerti të magjishëm me veprën e kompozitorit të njohur Rauf Dhomi, ‘Goca e Kaçanikut’, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, për të vazhduar me interpretimin e veprave të kompozitorëve botërorë si: Gaetano Donizetti, Giuseppe Verdi, Wolfgang A.Mozart, Charles Gounod, Giacomo Puccini dhe Georges Bizet, nën dirigjimin e Edon Ramadanit dhe Leonardo Quadrinit, ku krahas tyre nuk mungoi as edhe vepra e mirënjohur e kompozitorit Prenk Jakova “Mrika”, duke sjellë kështu vepra të cilat fuqishëm buronin nga zëri unik i performuesve të njëpasnjëshëm e hynin thellë brenda të pranishmëve për ti futur ata brenda fuqisë mbinatyrore të struktur në çdo melodi e tingull.
Para se koncerti të fillonte, të pranishmit ngadalë po mbushnin vendet e tyre të rezervuara përballë skenës në Sallën e Sportit në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, e që kësaj radhe kjo sallë kishte marrë një formë krejtësisht ndryshe. Perdet e zeza e të lëshuara përgjatë gjithë hapësirës, reflektorët që gjithmonë ndërronin ngjyrën sipas programit, karriget blu, imazhet e shfaqura në sfondin mbrapa Orkestrës, podiumet, dritat e ngrohta e të ndezura, lulet e vendosura përgjatë skenës që rrethonte vendin ku Baleti Kombëtar do të performonte, instrumentet diversive që ishin të shtrira në karriget e vendosura për performuesit e të cilat posedonin një hijeshi të paparë kur heshtja kaplonte kohën, si dhe instrumenti i bukur ‘Harpa’ që dallohej dukshëm, ishin këto specifika që krijuan një atmosferë ku perfeksionimi kishte gjetur shtëpinë e përhershme të tij.
Ndërlidhja e dy institucioneve si ajo e Operës së Kosovës dhe Baletit Kombëtar të Kosovës, ishte diçka aq e përsosur dhe e mistershme, saqë ajo fuqi që arti operistik e i vallëzimit e posedon në një frymë të vetme, do të përshkruhej pothuajse si një ëndërr e pashpjegueshme, në të cilën njeriu përhumbet dhe rrezikon nga mos dalja e saj. Një ëndërr si kjo e jo nga ato të zakonshmet, erdhi posaçërisht nga kjo ndërlidhje që solli ngrohtësinë, paqen, krenarinë dhe lumturinë në një koncert të vetëm.
Në skenë, të veshur me të zeza ishin instrumentistët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës të cilët së bashku me instrumentet si: violina, viola, violonçeli, kontrabasi, flauti, obo, klarineta, fagoti, korno, trumbeta, tromboni, tuba, timpani e perkusionet, përgjatë gjithë koncertit, pa ndalur, sollën interpretime të vazhdueshme të cilat i përngjanin atyre të nivelit botëror. Krahas kësaj Orkestre, ishte zëri i Korit të Filharmonisë së Kosovës, ai që plotësoi pjesën e fundit të një mozaiku operistik. Një mozaik ky tejet magjepsës që shpalosi vokalin unik të Korit dhe muzikën e veçantë mes të instrumentistëve që po performonin me një dëshirë të zjarrtë që nuk po mbaronte dot.
Në ndërkohë, veprat si: “Luicia di Lammermoor”, “La Traviata”, “Dasma e Figaros”, “Romeo et Juliette”, “Madama Butterfly”, “Dasma Arbëreshe”, “Nabucco” dhe “Carmen”, nën interpretimin e sopranove si: Besa Llugiqi, Adelina Paloja, Kaltrina Miftari, Zana Abazi Ramadani, Arta Jashari, Elona Sadiku, mezzosopranove Flaka Gorancit dhe Teuta Kurtit, tenorit Liridon Sadriu si dhe baritonit Armando Likaj, dëshmuan se porsi veshjet e tyre plot elegancë, mbrëmë vokalet e tyre po aq elegant, shpërthyen furishëm përmes teknikave mjeshtërore e lëvizjeve skenike, duke rrëmbyer zemrën e të pranishmëve, duartrokitjet dhe brohoritjet e së cilëve dëgjoheshin ende pa mbaruar veprat.
Për të treguar më shumë rreth krijimit të vendit më të mirë të mundshëm për Operën e Kosovës, për KultPlus foli kryeministri Albin Kurti.
“Sonte u dëshmua se ne kemi përmbajtje, kemi substancë, i kemi talentët tonë që kanë bërë shumë punë, kemi organizim të jashtëzakonshëm që erdhi deri te kjo mbrëmje historike për kulturën dhe artin tonë, meqenëse opera është shumë e vështirë, e këta ia kanë dalë fort mirë”, ka thënë ai.
Sipas tij, ky art i lartë e do edhe një infrastrukturë adekuate dhe se ata pa humbur kohë do të bëjnë hulumtimet për vendin me të mirë të mundshëm dhe gjithashtu për karakteristikat e nevojshme.
“Pra, meqë jemi në përfundim të këtij viti, pa dyshim që vitin e ardhshëm do të fillojmë përgatitjet ashtu që sa më parë të krijojmë kushtet për atë që dëshmuam sonte se nuk ngelim prapa vendeve të rajonit e mbase edhe më gjerë se kaq”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, për të treguar për përshtypjet e tij rreth koncertit dhe procesin e provave, për KultPlus foli ushtruesi i detyrës së Drejtorit në Baletin Kombëtar të Kosovës, Niki Musolli.
“Jam shumë i lumtur që çdo ka shkuar sipas planit sepse ne e patëm premierën tonë para një jave e disa ditë e ka qenë goxha problematike, çështja e agjendës por për fat të mirë që është shtyrë në këtë datë dhe kemi pasur mundësi të përgatisim pjesën nga shfaqja ‘Karmen’ si dhe valësin në fund që është dashur të adaptohet nga shfaqja ‘Pushimi i Kalorësve’ me muzikë të Verdit nga Orkestra këtu”, thotë ai.
Sipas tij, provat janë mbajtur në sallën e tyre e të cilat kanë vazhduar deri në ditën e premte. Por, kjo punë e dy institucioneve, ishte tejet e madhe.
“Dy pjesët janë pjesë shumë shumë të bukura dhe janë bota komplet ndryshe nga njëra-tjetra dhe besoj se publikut i ka pëlqyer shumë”, përfundon Musolli.
Po ashtu, dirigjenti Edon Ramadani për KultPlus tregoi se si kapacitetet e të gjithë pjesëmarrësve u treguan sonte, por që të njëjtat janë treguar edhe shumë më herët.
“Ka qenë një organizim i madh duke pasur parasysh se vetëm në skenë kanë qenë rreth 120 muzicientë duke përfshirë Korin dhe Orkestrën, pastaj natyrisht dhe Baleti i Kosovës i cili e zbukuroi tërë këtë organizim e po ashtu edhe në prapaskenë ka qenë një ekip i madh i cili ka punuar për tërë këtë projekt. Kjo nuk është hera e parë që ne realisht po dëshmojmë se mundemi të fillojmë një Operë e punimin e shfaqjes operistike sepse ato janë bërë edhe më herët prandaj tani është momenti që të kemi objektet tona kur ne do të mund të ushtronim veprimtarinë tonë dhe të fillojmë me shfaqjet operistike”, thotë Ramadani.
Sipas tij, kapacitetet u treguan edhe sonte e janë treguar edhe shumë më herët.
“Pas disa vitesh, unë besoj shumë që do të kemi mundësinë që ti kemi dy Orkestra të plota, dy Kore të plota, të cilat do të mund të funksionin edhe në mënyrë të pavarur pa problem. Ishte një program operistik meqenëse ishte festimi i inaugurimit të Operës së Kosovës e veçoria e këtij programi ishte repertori tejet i larmishëm”, përfundon ai.
Kurse, mezzosporanoja Flaka Goranci për KultPlus ka thënë se për të ka qenë një ndjenjë e veçantë këndimi për inaugurimin e institucionit të Operës të Kosovës.
Sipas saj, kjo mbrëmje arrin të krahasohet me koncerte shumë me të mëdha që zhvillohen në vende të tjera dhe të tilla që marrin epitetin si gala-koncerte.
“Mendoj që tash na pret një punë mjaft e madhe. Ne kemi parë që kemi gjithë trupën për të krijuar një shtëpi të operës dhe mendoj se patjetër do të jetë punë e madhe e Qeverisë për të arritur të ndërtojë shtëpinë, një objekt si secili institucion që e ka shtëpinë e tij”, ka thënë ajo.
Opera e Kosovës e solli këtë koncert në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.
Fotografitë: Majlinda Hoxha & Arben Llapashtica / KultPlus.com