2 Maj, 2022 - 7:55 pm
Violinisti i mirënjohur shqiptar, Olen Çezari, vjen me një koncert të veçantë këtë muaj. Me 5-6 Maj në Pallatin e Kongreseve të gjithë do të kenë mundësinë të shijojnë performancat e veçanta ku do të përfshinë jo vetëm violinistin Olen Cezari por edhe plot emrat të mirënjohur të muzikës Italiane. Në emisionin “Rreze Dielli” Olen Cezari ndau detaje tepër interesante nga koncerti i shumëpritur.
“Jemi në finalen e madhe po afrojnë ditët e koncertit, jemi në tension për 100 gjëra, pjesa muzikore është gati, organizimet po mbarojnë. Jam shumë i lumtur që po ia dal të sjellë këtu maksimumin e teknologjisë që ekziston dhe kjo do një falenderim gjigand për partnerët e mi që më kanë mbështetur, mund të them vetëm një detaj, vetëm qeraja e pallatit të Kongreseve është 25 mijë euro. Është një kosto marramendëse për një gjë gjigande që po vjen në Tiranë” u shpreh ai.
Ndryshe nga herët e tjera, ajo që bën edhe më magjik këtë koncert është se si asnjëherë më parë në Shqipëri, do të ketë maksimumin e teknologjisë, që do të sjellë një ndriçim fantastik në sallë.
Është një eksperiencë unike sepse për herë të parë po vjen një ekip nga Roma që merret me ndriçimin lazer që s’ka qenë ndonjëherë në koncertet e mia, është një eksperiencë paparë si për mua dhe për publikun. Çdo këngë, çdo pjesë që ndodh është një spektakël. Kemi të ftuar pa fund që vijnë nga Italia Fiorella Mannoia, Lavilia Mancusi, Carlos Paz, Salsano Rrapin, kam fatin të kem edhe Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, pastaj kam edhe një nga balerinat më të famshëm në botë që vjen nga Argjentina. Repertori është pafund.
Pjesë e koncertit do të jetë edhe orkestra muzikore ‘International clandestine orchestra’ e cila prej 12 vitesh tashmë e shoqëron në çdo koncert violinistin e mirënjohur Olen Çezari, duke sjellë tingujt më magjik dhe performancat më profesionale.
“Është familja ime muzikore , kemi 12 vjet që jemi bashkë, janë artistët më të mirë në botë që jetojnë në Itali që unë i kam piketuar me kokrra dhe i kam marr me vete. Ka qenë provokues për faktin se ne një farë momenti të jetës sonë të gjithë ishim klandestinë në Itali ose na kishin skaduar dokumentat ose kishim ardhur dhe s’kishim bërë dokumentat dhe u vendos ky emër” u shpreh ai.
Violinisti, Olen Çezari, dhe grupi i tij do të interpetojnë në skenën e Pallatit të Kongreseve më 5 dhe 6 Maj në orën 19:30. /diasporashqiptare/ KultPlus.com