30 Mars, 2022 - 3:25 pm
Kryesuesit e top-listave muzikore, Ed Sheeran dhe Camila Cabello, u ngjitën në skenë mbrëmjen e së martës, në një koncert televiziv, me synim për të mbledhur fonde, në një thirrje për mbarë botën për të asistuar Ukrainën me ndihma humanitare.
Skena u ngrit në qytetin e Birmingemit, për koncertin që zgjati më shumë se 2 orë, dedikuar Ukrainës, ku performuan edhe këngëtarja ukrainase Jamala, që fitoi Eurovizionin në 2016 dhe veterani i muzikës Nile Rodgers and Chic, si dhe grupet Snow Patrol dhe Manic Street Preachers.
U duk sikur koha ndaloi për një moment kur u performua “Verbovaya Doschechka”, një këngë e vjetër ukrainase, nga violinisti virtuoz Illia Bondarenko. Performanca u realizua nga një bodrum në Kiev bashkë me 94 violinistë nga e gjithë bota.
Koncerti u transmetua “live” në të gjithë botën, dhe përgjatë dy orëve spektatorët mundën të dërgojnë donacione. Organizatorët thanë se gjatë kohës së shfaqjes, në ndihmë të Ukrainës u mblodhën 16 milionë dollarë, të cilat do t’i dërgohen Komitetit të Emergjencave të Fatkeqësive.