19 Maj, 2021 - 9:41 am
Era Berisha
Në një xhungël magjike po buronin ciklonet e melodive që herë rrjedhnin qetësisht e herë tjera dilnin jashtë kontrollit të pianos dhe tingujt në nivele të ndryshme që dëgjoheshin nga vokali i sopranos Arta Jashari.
Qysh në fillim, koncerti i mbrëmshëm recital i sopranos futi publikun në guaskën e errësirës e cila kaploi vendin dhe njëkohësisht i dha jetë jo vetëm përmes paraqitjes skenike por edhe nga interpretimi i zgjedhur i literaturës vokale, i cili burim inspirimi kishte ritmin dhe muzikën latine, shkruan KultPlus.
Gjithçka nisi në një qetësi absolute ku të pranishmit patën rastin të shohin një skenë e cila po merrte vëmendjen e gjithsecilit me perdet zi që ndriçoheshin nga dritat e kaltërta, me përqafimin e ngushtë të gjelbërimit që kishte mbështjellë pianon përreth dhe me paraqitjen estetike të sopranos Arta Jasharit, me një fustan ngjyrë rozë që vinte dukshëm në kontrast me prapavijën por njëkohësisht po i bashkangjitej edhe pianistes Pranvera Hoxha-Brymes, e cila kishte të vendosur një kordele me po të njëjtën ngjyrë.
Ky koncert recital portretizoi literaturën vokale duke filluar nga veprat e kompozitorëve si: Xavier Monstsalvatge, Antonin Dvorak, Agustin Lara, Enrique Granados si dhe autorit të panjohur të veprës ‘Të dua Prishtinë’, që mbrëmë erdhi premierë me aranzhimin e Kreshnik Aliçkaj dhe mysafirit të ftuar Avni Krasniqi nën manovrimin e trumbetës, me ç’rast la një hijeshi stabile dhe paqësore duke futur zemrat e publikut në ekuilibër delikat që intuitën po e shkrinte tërësisht në duartrokitje dhe brohoritje plotësisht të merituara nga performuesit që mbrëmë interpretuan krijime të cilat të jepnin ndjesinë se po qëndron në mesin e heshtjes naive dhe çmendurisë dashamirëse.
Pjesëmarrës tjetër ishte edhe tenori kosovar, Luan Drumishi i cili dhe pse qëndronte pingul në vend, ai pushtoi komplet sallën në një rrëmbim të shpejtë zemrash me zërin e tij duke përdredhur kështu atmosferën në nivele të ndryshme vokali. Ndërkohë, soloja e interpretuar nga pianistja kishte rrethuar ndjenjën e melankolisë me gishtërinjtë e saj të cilat dukeshin se nuk po gjenin as fundin e as fillimin por që po performonin me një butësi ëndërrimtare dhe po tërhiqnin bebëzat e audiencës në një rrëfim emocionesh deri në një fund që përfundoi në një përjetësi, aty ku damari pushon por edhe lëkundet lehtësisht.
Kështu, krejt në fund, froni i kënaqësisë u arrit mbrëmë me talentin e derdhur mahnitshëm nga vokali i sopranos që kalonte nivelet e skajshmërisë e që fjalët e larmishme të veprave latine po ndiqeshin menjëherë pas disa sekondave nga instrumenti bardh e zi që dha një iluzion se edhe pianoja po fliste po të njëjtën gjuhë e po interpretonte me po të njëjtin vokal në formën e një prologu dhe epilogu pëshpëritës.
Për të folur më shumë rreth realizimit të një koncerti të tillë, për KultPlus foli sopranoja Arta Jashari, e cila u shpreh se ky koncert erdhi si nevojë për të sjell një frymë kombinuese me skenën, paraqitjen skenike dhe vokale.
“Ideja ime erdhi qysh nga kthimi im nga studimet master në Berlin, për të sjell një frymë të kombinimit me skenën, paraqitjen skenike dhe vokalin. Përzgjedhja e veprave ndodhi krejt rastësisht dhe në bashkëpunim me profesorin tim Arisar Giris në Berlin. Ne kemi përzgjedhur këto dy cikle të cilat i kam kënduar dhe për fund e zgjodha një këngë që e ka kënduar Nexhmije Pagarusha por autori nuk i dihet ende”, thotë Jashari.
Sipas saj, provat kanë zgjatur shumë sepse është hasur në probleme për shkak të ndalesave e masave të shumta në një kohë të tillë por që në fund të gjithë kanë dalur shëndosh e mirë në skenë. Ndërsa, sonte për Jasharin kjo natë ishte një krenari dhe interesimi i madh i publikut është një respekt i veçantë.
Ndërsa, për të folur rreth natës së mbrëmshme dhe solos së saj, për KultPlus foli edhe pianistja Pranvera Hoxha-Bryma.
“Ideja për këtë koncert është e Artës sepse është dashur që të realizohet një cikël këngësh të një kompozitori spanjoll e cila nuk është luajtur fare tek ne e fare pak nëpër botë. Kurse, pika ime solo është përzgjedhur nga unë sepse dëshiroja një kompozitor të origjinës spanjolle por kësaj here erdhi si një vepër më e qetë dhe besoj që e ka pasur efektin e vet”, ka thënë Bryma.
Tutje pianistja tregoi se zgjedhja e kompozitorit spanjoll Enrique Granados dhe interpretimi i valles së dytë orientale ishte një përshtatje e mbrëmjes dhe në fakt atë e kishte marrë shumë malli për të performuar para publikut sepse ka kaluar 1 vit që nuk kishte performuar live.
“Unë u emocionova pak në fund dhe e përjetova pak më speciale këtë natë sesa si zakonisht kur e kam luajtur dhe besoj që edhe publiku e ka pëlqyer shumë. Ishte një emocion i veçantë që e përjetova dhe energjia e publikut që arritën ta transmetojnë e sidomos tek vepra e parë që ishte premierë, po njëlloj edhe tek vepra e fundit”, përfundoi Pranvera.
Gjithashtu, i pranishëm në këtë mbrëmje ishte edhe drejtori i Drejtorisë për Kulturë Adrian Berisha, i cili për KultPlus tregoi edhe përshtypjet dhe emocionet e tij për këtë natë.
“Ishte e jashtëzakonshme dhe më kishte marr malli për të dëgjuar dhe parë një koncert recital me një performancë shumë të bukur të Artës, Pranverës, Luanit dhe Avniut, të cilët në fund na sollën diçka shumë të bukur për Prishtinën. Pas atij interpretimi diskutuam edhe me miq për kompozitorin dhe e kuptuam se këngën e ka kompozuar Valedin Kurti dhe menduam se sa bukur kishte me qenë që pikërisht kjo këngë të shndërrohet në himnin e qytetit të Prishtinës”, tha Berisha.
Sipas tij, për Drejtorinë e Kulturës dhe Komunën e Prishtinës është gjithmonë një kënaqësi për të organizuar koncerte të tilla. Ndërkohë, ky koncert Berishës i dha edhe një emocion shumë të bukur sa që ai ka filluar të qaj sepse po paramendonte Prishtinën me shumë gjelbërim, pjesën e vjetër të rregulluar me kalldrëm dhe gjithçka tjetër.
“Dua ta falënderoj Dardan Selimaj për bashkëpunimin dhe Artën që në këtë periudhë kohore të pandemisë ka arritur të sjell një ngjarje të tillë kulturore shumë të bukur”, përfundon Berisha.
Ky koncert është organizuar nga Komuna e Prishtinës dhe përkrahur nga Dekor Tropikal, Grand Decor dhe KTV. / KultPlus.com