Me koncertin e mbrëmshëm “Agimi” tundi skenën e Prizrenit (FOTO)

27 Nëntor, 2017 - 1:19 pm

Koncerti i mbrëmshëm i ShKA Agimit shënoi një moment të kthesës përmes një programi cilësor të ekzekutuar nga njerëzit më meritorë që ka sot Agimi, theksohet në njoftimin e njërës nga kryesitë e kësaj shoqate, në të cilën ka muaj që kanë shpërthyer fërkime se kush është legjitim në krye të saj.

Figurat më të njohura të seksioneve artistike u kthyen pas shumë vitesh për ta rikrijuar njërin nga emocionet pothuaj të harruara festive, pikërisht në ngjarjen që shënon 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit.

Reagimi i qytetarëve dhe dashamirëve të Agimit ishte i jashtëzakonshëm, pasi që salla e Teatrit të Qytetit “Bekim Fehmiu” (Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha) u mbush mbi kapacitetin e vet, derisa dhjetëra mysafirë qendruan në këmbë gjatë dy orëve sa zgjati koncerti. Kishte kohë që ngjarjet konecrtale të ShKA Agimit nuk po priteshin me kaq interesim dhe pjesëmarrje.

Veçantia e koncertit të sivjetshëm për Ditën e Flamurit ishte rikthimi pas shumë vitesh i emrave të njohur në reportorin e Agimit. Koncerti pati një program shumë cilësor, me performansë të korit nën udhëheqjen e Fikrim Emrës, oktetit (grupit) nën udhëheqjen e Besim Berishës, orkestrës nën udhëheqjen e Kastriot Markut, grupit të valltarëve nën udhëheqjen e Luljeta Brahës dhe Blerim Gashit, valltarëve veteranë nën udhëheqjen e Mazllum Karamanit dhe rapsodëve nën udhëheqjen e Tomë Sokolit. Pjesë e programit ishin edhe solistë të njohur të Kosovës, Rina Bilurdagu, Neki Emra, Elizabeta Krasniqi dhe Agim Tejeci.

Në fjalën e hapjes, aktori dhe udhëheqësi i seksionit dramatik në ShKA Agimi, Xhevdet Doda, theksoi se koncerti është vazhdimësi e protestës artistike dhe përsëriti qëndrimin e anëtarësisë thënë nga fillimi se Agimi është i të gjithëve dhe nuk do të ndalemi së vepruari derisa të shohim këtë të realizuar plotësisht. Sipas Xhevdet Dodës, rezistenca ndaj të keqes e cila mori hov në fund të vitit të kaluar është edhe një dëshmi që Agimi gjithmonë ishte dhe vazhdon të jetë nismëtar i ndryshimeve në Prizren dhe më gjerë, duke shtuar se qindra anëtarë e dashamirë të Agimit kishin vendosur t’i japin fund heshtjes e durimit, sepse një grup i vogël individësh të papërgjegjshëm po keqpërdornin një vlerë gjithëshoqërore, duke tentuar të përvetësonin Agimin për qëllime të ngushta. Sipas tij, ajo që nisi si rezistencë ndaj kapjes dhe abuzimit me të mirën e përgjithshme në fund të vitit të kaluar, nxiti edhe lëvizje tjera që tanimë po rezultojnë edhe me ndryshime politike e shoqërore, duke e konfirmuar edhe një herë Agimin si fole dhe frymëzim të ndryshimit në Prizren.

Rezistenca e anëtarëve do të vazhdojë në formën e protestës artistike, gjithnjë me synimin që Agimi të kthehet në piadestalin e veprimtarisë dhe namit të vet, si Shoqëri që i bën bashkë të gjithë personat që ia duan të mirën Prizrenit dhe kulturës. Kjo protestë do ta vazhdojë edhe tutje, derisa Agimi t’i kthehet të gjithëve, anëtarëve të vet, dashamirëve e përkrahësve dhe gjithë qytetarëve. Paralelisht protestës artistike, po ndiqen edhe të gjitha rrugët ligjore. Dëshmitë për keqpërdorime të këtij grupi të vogël individësh të papërgjegjshëm tashmë janë dërguar në autoritetet përgjegjëse, ndërsa i gjithë dokumentacioni në formën e padisë do t’i dërgohet gjykatës kompetente brenda disa ditësh.

(Njoftimi përfundon me nënshkrimin: Kryesia e ShKA Agimit – Besim Berisha, Agnesa Çipa Laçi, Arben Mashkulli, Flaka Xërxa, Fikrim Emra, Arbëreshë Berisha dhe Luljeta Braha, ndërsa autore e fotografive theksohet emri i Elmedina Arapi)./ KultPlus.com

Të ngjajshme