31 Korrik, 2022 - 9:48 am
Festivali Ndërkombētar i Muzikës që bën bashkë në Korçë artistë nga një gjeografi e larmishme,startoi mbrëmjen e së premtes,me një koncert për piano dhe orkestër të një kompozitori ukrainas të viteve 60, menduar si mbështetje për popullin e Ukrainës.
Në vazhdim të traditës së “Mik Festival”, por edhe me ndërthurjen e muzikës klasike me zhanre të tjera të muzikës, organizatorët synojnë ta bëjnë më të veçantë këtë edicion duke i shtuar ngjyra dhe përfshirë çdo shije dhe moshë.
Teatri “Çajupi”, Pazari i Vjetër por edhe ishulli i Maligradit në Pustec do të jenë skenat ku do të mbahen gjatë fundjavës koncertet, të cilëve do t’iu bashkohen edhe emrat e njohur si balerini Ilir Shaqiri dhe këngëtarja Ledina Çelo.
Ideatorja e “Mik Festival”, sopranoja Inva Mula u vlerësua në çelje të eventit nga Këshilli Bashkiak i Korçës me titullin “Qytetare Nderi”.
Festivali Ndërkombëtar do të mbyllet me një koncert qe do të mbahet në shtëpinë muze të shkrimtarit Sterjo Spasse në Pustec./Klan News/ KultPlus.com