7 Maj, 2024 - 5:43 pm
Kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës kanë mbajtur koncert në Tiranë, në sallën e liceut artistik “Jordan Misja”.
Fëmijët e kryeqytetit të Prishtinës, në dirigjimin e Vehbi Shoshollit, luajtën vepra të kompozitorëve të njohur ndërkombëtarë dhe atyre shqiptarë.
Me mbështetje të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë e Inovacionit të Kosovës, kori dhe orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ janë paraqitur me një koncert para publikut të Tiranës.
Drejtoresha e korit dhe orkestrës, Hana Petrovci, falënderoi Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe MAShTI-n për mbështetjen derisa theksoi se orkestra e fëmijëve të Prishtinës tashmë ka filluar të ofrojë shfaqje edhe jashtë kufijve të Kosovës duke e përfaqësuar vendin në shtete të ndryshme.
I pranishëm në këtë koncert ishte edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skender Durmishi.
Orkestra e fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ është krijuar në shtator të vitit 2022 dhe përbëhet nga nxënës të shkollave të mesme të ulëta të muzikës në Prishtinë, duke përfshirë fëmijë të shkollës publike të muzikës ‘Prenk Jakova’ dhe shkollave të tjera private./rtk/KultPlus.com