11 Mars, 2019 - 4:30 pm
Gili Hoxhaj
Kori i Filharmonisë së Kosovës pas një kohe të gjatë mbrëmë u kthye për të interpretuar në hapësirën e Sallës së Kuqe në Pallatin e Rinisë, pasi që koncertet e kaluara kryesisht kanë qenë të pozicionuara në kishën “Shën Ndou”. Rreth 100 performues u bashkuan në mbrëmjen e kaluar të Filharmonisë së Kosovës, ku u interpretuan shtatë vepra, në mesin e tyre dy prej kompozitorëve vendorë. Dirigjenti spanjoll Fernando Briones që nuk vjen për të parën herë në Kosovës dëshmoi goxha energji nën dirigjimin e mbrëmjes, ku pjesa e parë e koncertit erdhi “A cappella” për të përfunduar me veprën vokalo-intrumentale të kompozitorit Kristë Lekaj që erdhi premierë për publikun, shkruan KultPlus.
Anëtarët e korit që udhëhoqën shumicën e pjesës së parë të programit, jo rrallë ndërruan pozicionet e tyre në skenë. “Good nightt, dear heart” e Dan Forrest dhe “Ao Pasar por camarinas” e Julio Domingues erdhën si hyrja e koncertit, për të kaluar në vepra më dinamike, ku anëtarët e korit do të vendosnin partiturat te këmbët, e përveç zërit do të aktivizonin edhe duart në zbërthim të veprës së Vocalvas Augustinas “Tykus, tykus”, atë të HuddieW. Lebetter “Bring me little water” dhe veprën e Jake Runestad “Alleluia”, për të kaluar në veprën e kompozitorit nga Kosova, Rafet Rudit i cili është edhe udhëheqës i Korit të Filharmonisë së Kosovës.
Për ta sjell këtë vepër tek publiku, pranë korit erdhi mezosopranoja nga Shqipëria, Vikena Kamenica. Merita Rexha- Tërshana dhe Misabah Kaçamaku ishin vënë përballë njëri-tjetrit me piano, e pak më lart qëndronin instrumentistët të tjerë në përcjellje të veprës nga Patris Berisha në perkusione, Meriton Zajmi në timpan dhe Lulzim Lushtraku në kontrabas.
Kori së bashku me instrumentistët, përmes interpretimit gjurmuan në reliefin dramaturgjik të veprës, i cili është ndërtuar mbi dhembjen e babait (Dedalus) për humbjen e djalit të vet (Icarus). Sipas mitologjisë greke, Dedalus ishte ngujuar në burgun famëkeq të kohës bashkë me djalin Icarus, si ndëshkim nga mbreti Minos i Kretës. Dedalus (arkitekti më i famshëm i mbretërisë) me qëllim të ikjes, ndërton flatrat prej dyllit për veten dhe për të birin, si mundësi e vetme për të ikur. Pasi fluturojnë, i biri (Icarus), nuk e dëgjon këshillën e babait që të mos fluturoj lart. Për pasojë flatrat prej dyllit shkrihen nga dielli dhe ai bie në det. Babai (Dedalus), i trishtuar vajton vdekjen e të birit me fjalët:
“Icare ubi es? Quea te regjione requiram?”, “Icarus, ku je? Në ç’vend të kërkojë?”.
Edhe pse vepra është kompozuar vite më parë, mezosopranoja Vikena Kamenica tha që për të ishte premierë, të cilën edhe vetë ajo e përjetoi me emocione të forta, ndërsa tha se skena në Prishtinë për të mbetet gjithnjë e shenjtë.
“Kjo është një vepër moderne, me një dramë shumë të fortë për humbjen e fëmiut dhe në vitet që është realizuar edhe nga vetë profesori, ishte nga ato dramat që prekte rrethanat në të cilat ka kaluar vendi dhe të dy vendet tona kanë pasur humbje, kështu që kishte emocione të përziera për neve deri në finalizimin e kësaj drame për ta sjell me emocion”, tha Kamenica, e cila tutje për KultPlus u shpreh se ndihet e kënaqur me bashkëpunimin me Korin e Filharmonisë së Kosovës dhe shpreson se kjo mbrëmje do të rezultojë edhe me bashkëpunime të tjera.
Në rreshtin e parë të ulëseve, për ta ndjekur koncertin kishte ardhur edhe Elbenita Kajtazi, sopranoja kosovare që po shkelë skenat botërore. Meqë karriera e saj është e përqendruar në Gjermani, ajo për disa vite nuk ka mundur të ndjekë koncertet e Filharmonisë së Kosovës, ndërsa tha për KultPlus se ndihet e kënaqur që mbrëmë arriti ta ndjekë nga afër koncertin, të cilin e vlerësoi pozitivisht.
“Pjesa e parë më la jashtëzakonisht shumë përshtypje, e përgëzojë Vikenën për interpretimin e mrekullueshëm që i ka bërë veprës së profesorit Rafet. Më pëlqej jashtëzakonisht shumë tingëllimi por salla normalisht që është një problem këtu pasi që akustika mundet me e dëmtu edhe atë interpretim të mrekullueshëm që e kanë bërë, por i përgëzojë për punën që kanë bërë”, tha Kajtazi në një intervistë të shkurtër për KultPlus.
Pas një pushimi të shkurtër, kori u rikthye në skenë së bashku me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës për të marrë rrugën drejt një vepre tjetër vendore. “Requiem” e kompozitorit Kristë Lekaj erdhi si përmbyllje duke bashkuar shumë tinguj e zëra. Në një pjesë të veprës, më në pah dilnin zërat e sopranos Shkurte Hykaj dhe Besë Krasniqi. Vepra “Requiem” që erdhi mbrëmë premierë për publikun, vitin e kaluar ishte shpërblyer me çmimin për vepra vokale- instrumentale, nga MKRS. Lekaj shpjegoi për KultPlus se këtë vepër e ka shkruar para dy viteve, ndërsa këtë vepër e ka shkruar për martirët e popullit shqiptarë të të gjitha kohërave. Lekaj theksoi se ishte emocion i veçantë ta dëgjonte për herë të parë veprën e tij “Requiem”.
“Këtë vepër e kam shkruar për popullin tim martir, të vuajtur ndër shekuj. Vepra nuk më ka marr shumë kohë pasi që këtë vepër e kam pasur në kokë për shumë vite, andaj më ka ardhur me lehtë ta qes në letër. I falënderohem këtij ansambli, orkestrës, solistëve dhe dirigjentit që më kanë ekzekutuar. Distanca kohore tregon se çfarë do të jetojë dhe çfarë do të mbetet. Unë do të vdes por shpresoj që vepra ime do të jetojë pas meje”, tha krejt në fund të intervistës Lekajt për KultPlus. / KultPlus.com