2 Maj, 2018 - 3:51 pm
Alberina Haxhijaj
Filharmonia e Kosovës tashmë është bërë gati për turneun britanik. Ky rrugëtim i cili po konsiderohet i veçantë nga ky institucion, do të sjellë për herë të parë para publikut angleze anëtarët e Korit të Filharmonisë së Kosovës. Kori do të ketë tri paraqitje nga të cilat dy në qytetin Hastings dhe një në kryeqytetin britanik, Londër, shkruan KultPlus.
Anëtarët e Korit të Filharmonisë, ka kohë që i kanë filluar përgatitjet për këto tri koncerte. Përgatitje të cilat kanë qenë të vështira pasi që ato janë bërë paralel me programin vjetor që ka ky institucion.
Koncerti i parë do të jetë më 5 maj ku kori i Kosovës do t’i bashkohet Korit dhe Orkestrës së Filarmonisë së Hastingsut për interpretimin e veprës “Requiem” të Verdit, nën drejtimin e dirigjentit brazilian Marcio da Silva. Dirigjent ky i cili ishte edhe nismëtar i këtij projekti, pas ardhjeve që pati në Kosovës si dirigjent permanent i Filharmonisë së Kosovës.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari e konsideroi të rëndësishëm këtë koncert pasi që është e rrallë paraqitja e këtij institucioni jashtë Kosovës. Kjo sipas tij duhet të ndodh sa më shpesh pasi që sjellë bashkëpunime të cilat janë në të mirë të zhvillimit dhe promovimit të punës së Filharmonisë.
“Një program mjaft kompleks të cilin ne e kemi quajtur ‘Kthim në të kaluarën’ pasi që sjellë një udhëtim muzikor dhe interpretimin e literaturës që nga shekulli XIII, XV dhe XVI e deri në ditët tona“, tha ai.
Pikërisht më këtë program i cili ngërthen në vete vepra të tri gjeneratave të kompozitorëve shqiptarë, e po ashtu edhe vepra të kompozitorëve botëror, kori do t’i ketë dy paraqitje, më 6 dhe 7 maj.
Për të paraqitur një sekuencë nga ajo që do të prezantojnë në Britani të Madhe, anëtarët e korit interpretuan për media veprën “Çorapët e Burrit” të kompozitorit Lorenc Antoni. Kështu që në fillim krijohet përshtypja se përmes këtyre koncerteve nuk do të bëhet vetëm prezantimi i korit por edhe i muzikës korale shqiptare si dhe i Kosovës.
Këtë e konfirmoi edhe Dirigjenti i Filharmonisë së Kosovës, Rafet Rudi. Ai tha se solistët nga Kosova janë duke arritur suksese jashtë vendit si individë kurse ky do të jetë një rast i mirë që ata të prezantohen edhe institucionalisht në kuadër të Filharmonisë së Kosovës.
“Programi i këtyre dy koncerteve është një program mirë i peshuar dhe i sajuar në bazë të disa parametrave. Programin e kemi sajuar duke pasur kujdes që veprat që përfshihen të jenë vepra reprezentative të muzikës tonë korale dhe besojmë që në këtë aspekt kemi çka të tregojmë pasi që ajo është e pasur”, tha ai.
Në anën tjetër sopranoja Adelina Paloja tha se të gjithë kanë punuar shumë në mënyrë që të japin një prezantim të denjë të punës së tyre.
“Kjo është një rezultat i punës së madhe që është bërë nga Filharmonia duke pasur të gjitha ato problemet teknike dhe financiare. Prandaj me gjithë kapacitetet tona ne si ekipe, si ansambël edhe individualisht me pjesët tona solistike jemi munduar që të japim më të mirën tonë. Duke shpresuar që rezultati final, nga kjo punë kolosale që është bërë, të jetë ai i duhuri dhe i dëshiruari”, tha ajo.
Ky turne organizohet në bashkëpunim me Filharmoninë e Hastings-it dhe shënon disa ngjarje, 90 vjetorin e themelimit të Korit të Filharmonisë së Hastings-it, 15 vjetorin e Korit të Filharmonisë së Kosovës dhe përkon edhe me 10 vjetorin e shtetit të Kosovës.
Ky udhëtim është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër./ KultPlus.com