8 Shkurt, 2025 - 5:01 pm
Mbrëmë në Teatrin Shqiptar në Shkup, Kori i Fëmijëve “Okarina” u prezantua me një koncert me rastin e shënimin të pavarësisë së Kosovës. Fëmijët para publikut sollën emocione të veçanta dhe krenari kombëtare përmes interpretimit të mrekullueshëm, transmeton Portalb.mk.
Koncerti u realizua nën drejtimin e Elikona Hysaj Shala, dirigjente e Korit të Fëmijëve “Okarina”, dhe shoqërimit në piano nga Melos Buza.
Elikona Hysaj Shala, udhëheqëse dhe dirigjente e Korit të Fëmijëve “Okarina” për Portalb.mk tha se mbrëmë ishte një natë me plot shpirt e dashuri nga publiku.
“Një publik i ngrohtë e që në gjysmën e repertoarit që ne paraqitëm mbrëmë ata bashkangjiteshin me ne duke kënduar e duke duartrokitur në mes këngësh e në përcjellje të ritmit të këngëve”, tha Hysaj Shala.
Hysaj Shala shtoi se kori u paraqit me një program të larmishëm artistik.
“Kori i Fëmijëve “Okarina” u paraqit me një program artistik tejet të pasur e të larmishëm edhe për nga stili edhe për nga përmbajtja. Nga 12 pika gjithsej që u interpretuan, 10 vepra ishin nga literatura e kompozitorëve tonë të çmuar të periudhave të ndryshme kohore të historisë muzikore, ndërsa 2 vepra shumë të bukura ishin nga literatura botërore”, tha Hysaj Shala.
Se sa janë të rëndësishme këto aktivitete rajonale Hysaj Shala, mes tjerash tha se ata nevojiten për edukim.
“Ky trekandësh i zhvillimit të këtyre aktiviteteve, tregon shumë për bashkimin tonë, për atdhedashurinë, për një edukim të mirëfilltë të brezave të ardhshëm në aspektin kulturor artistik, e mbi të gjitha një edukim shpirtëror duke kontribuar edhe me shuë në trashëgiminë tonë mbarëkombëtare”, tha Hysaj Shala.
Ajo tregoi dhe projektet e radhës të Korit të Fëmijëve “Okarina”.
“Ne kishim qëllim që të fuqizojmë edhe më shumë bashkëpunimin dhe dashurinë që kemi për njëri-tjetrin, përmes takimeve kulturore të përbashkëta e shumë të spikatura, pikërisht duke përzgjedhë përpos Prishtinës edhe dy kryeqendrat shqiptare siç janë Shkupi dhe Tirana.E nisëm këtë festë të madhe që në fund të janarit në Tiranë, e tani në shkurt në Shkup, e që në datën 17 shkurt në ditën e Pavarësisë e kemi rezervuar me koncert në Prishtinë.” tha ajo.
Kori i Fëmijëve “Okarina” u paraqit me këto pika:
Hysaj Shala gjithashtu shprehu falënderimet për gjithë ata që ishin mbështetës të këtij koncerti.
“Në emrin tim, të pianistit dhe të Korit të Fëmijëve “Okarina”, dëshiroj të i falenderohem organizatorit Leonat Qahili, një djalë shembullo, shumë i kujdesshëm, i cili u përkujdes në çdo detaj që koncerti të shkoj në mënyrën më të mirë të mundur.
Falë Leonat Qahilit, kryetarit të Komunës së Çairit z. Visar Ganiu dhe Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Shkup z.Florian Qehaja, u bë e mundur gjithë kjo ngjarje artistike e cila nuk do të shlyhet asnjëherë nga shpirti dhe mendja jonë”, tha Hysaj Shala.
Ky aktivitet u mbështet nga Komuna e Çairit dhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup.