21 Qershor, 2021 - 10:25 pm
Era Berisha
Me rastin e javës së muzikës të titulluar ‘Atmospheres’, Ambasada e Francës në Kosovë në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, kanë organizuar koncertin me korin e fëmijëve ‘Siparantum’ nga Peja, të cilët sollën një koncert me një repertor të larmishëm duke dëshmuar talentin e tyre vokal jo vetëm në interpretim por edhe nëpërmjet elementeve atraktive në skenën e Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit, shkruan KultPlus.
‘Fête de la Musique’, ngjarje kjo që festohet në tërë botën qysh nga viti 1981 nga muzikantë amatorë dhe profesionistë të të gjitha niveleve, kurse në Kosovë organizohet që nga fillimi i viteve 2000 dhe tani është shndërruar në një ngjarje mjaft të pritur dhe të çmuar nga publiku kosovar i cili sot mbushi sallën për të dëgjuar nga afër fëmijët e korit ‘Siparantum’ ku secili nga ta solli një veçanti unike që frymonte në të njëjtën vijë melodike vokale.
Një numër mesatar i fëmijëve nga gjenerata të ndryshme ishin vendosur në një skenë e cila ishte rrethuar komplet me një sfond në ngjyrë të zezë dhe dritat e kuqe të cilat vinin në pah edhe ngjyrën e veshjeve të këtij kori, ku dominonte ajo e kaltër. Fëmijët rrethonin në njërën anë edhe pianon e vendosur në mes e që tërë kohës lëshonte tinguj që vinin nga duart e dirigjentit dhe kompozitorit Memli Kelmendi.
Repertori i larmishëm i tyre përfshiu vepra të cilat u kënduan jo vetëm në gjuhën shqipe dhe angleze por edhe në atë franceze duke interpretuar kështu gjithsej njëmbëdhjetë këngë, me ç’rast secila nga to erdhi me një fuqi dhe talent që mbase edhe një ditë do të pushtoj skenat më të mëdha botërore.
Ndërsa, literatura muzikore ishte një gërshetim tejet i bukur duke filluar nga veprat shqiptare si: ”Topi”, ”Kënga e Bylbylit”, ”Nënës” dhe ”Ty flamur të duam shumë”, për të vazhduar me këngët e njohura botërore si: ”Bella Dona”, ”Joshua fit the battle of jericho”, ”Round the mountains” dhe ”Have you seen the ghost of John”.
Ndërkohë pjesë e këtij koncerti ishin edhe këngët si: ”Samba de Brasil”, ”En ten tenera” dhe ”Derniere Danse”, të cilat papritmas befasuan publikun duke i futur të pranishmit në një frymë krejtësisht ndryshe ku vokali i tyre merrte nota të larta e të ulëta ku zëri i tyre kaploi atmosferën me një hijeshi tingujsh dhe melodi të cilat rrjedhnin jashtëzakonisht bukur. E kjo dëshmohej edhe në fytyrat e prindërve që tërë kohës po i shikonin fëmijët me një krenari që reflektohej në sytë e tyre.
Po ashtu, përveç zërit që po jehonte tërë kohën, instrumentet diversive ishin shoqëruesit e ngushtë të tyre ku me inkuadrimin e pianos, kitarës dhe fyellit, koncerti u gjallërua ende më shumë duke i dhënë audiencës ngjyra të larmishme melodie dhe tinguj të gërshetuara në një emocion të vetëm që po dhurohej lehtësisht nga fëmijët që posedonin një talent e dhunti që aspak nuk duhet anashkaluar.
Kështu krejt në fund, nuk munguan as elementet e vogla por tërësisht të pa planifikuara nga ana e fëmijëve që dukeshin se ishin në botën e tyre dhe lumturia e gëzimi që shndriste në fytyrat e tyre ishte njëlloj si ajo e prindërve të cilët iu bashkëngjitën koncertit me shuplaka të domosdoshme për një vepër specifike. Ndërsa, duartrokitjet e shumta nuk munguan për asnjë çast nga ana e publikut dhe dashuria e tyre që dallohej në buzëqeshje dhe brohoritjet ishte e pranishme tërë kohës deri në fundin e këtij koncerti.
Ndërsa, për të treguar më shumë rreth realizmit të këtij koncerti për KultPlus, foli dirigjenti dhe kompozitori, Memli Kelmendi.
“Ne kemi marrë ftesë nga Ambasada e Francës në Kosovë, konkretisht nga Valon Ibraj, të cilën e falënderoj shumë. Ndonëse në rrethane pandemie, nuk jemi shkëputur nga provat me fëmijët duke arritur që ta realizojmë këtë program, me të cilët kemi zgjedhur një repertor ndryshe nga herët e tjera”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, programi afron publikun afër skenës dhe fëmijët po ashtu kanë nevojë për një atmosferë të tillë por mendoj që sonte ishte një shpalosje e punës tonë disamujore për të rikthyer një atmosferë e cila na ka munguar gjatë.
“Jam shumë i lumtur sepse ky është viti i tretë që punojmë me korin e fëmijëve dhe e konsideroj që ky është kori më i mirë në aspektin vokal që ekziston momentalisht. Prandaj, po e bëj publike dhe premierë për herë të parë ku tani ka filluar incizimi i një audio-CD, një CD me vepra që promovojnë kulturën dhe ndikojnë në zhvillimin e gjeneratave të reja dhe mendohet të lansohet brenda këtij viti”, thotë Kelmendi.
Për Kelmendin, fëmijët e korit përpos që relaksohen, ata japin një kontribut të jashtëzakonshëm për promovimin dhe zhvillimin e muzikës tonë e cila do të ndikoj drejtpërdrejt në të ardhmen.
“Është hera e parë që vij me një koncert të tillë me korin e fëmijëve dhe jam shumë i kënaqur me organizimin, ndonëse nuk ishte fare i lehtë duke pasur parasysh numrin e madh të fëmijëve. Andaj, konsideroj që ne dhe publiku kemi pasur nevojë për një atmosferë të tillë ku fëmijët e bënë një punë të mirë dhe i janë përshtatur kërkesave të mia në aspektin e udhëheqësit”, përfundon Kelmendi për KultPlus. / KultPlus.com