16 Tetor, 2024 - 10:11 pm
Vjollca Duraku
Foto: Arben Llapashtica
Një repertor komplet premierë, ka përshkuar koncertin e mbrëmshëm të Korit të Filharmonisë së Kosovës, i cili u dha nën drejtimin e dirigjentit Sasho Tatarchevski, në Kishën “Shën Ndou”, koncert ky që njëherit shënoi edhe hapjen e sezonit 2024/2025, shkruan KultPlus.
Ishte e para vepra e Arvo Pärt- “Da pacem domine” që “ftoi” anëtarët e korit të futeshin në sallë, për të mbajtur koncertin me vepra të padëgjuara më parë. Renditja e pjesëtarëve të korit rreth e përqark sallës dhe audiencës përbënte një interpretim interesant akustik, që përveq një stili interpretues krijoji afërsi dhe lidhshmëri të madhe mes interpretuesve dhe publikut.
Pozicionimi i koristëve ndryshonte në një mënyrë krejt të natyrshme fluide nga vepra në vepër. Ndërsa zëri i tyre herë i ndarë në grupin e grave, e herë në të burrave, shpesh kombinohej për të dhënë maksimumin në një interpretim të përbashkët shpërthyes. Secila notë në këtë mbrëmje shpërfaqte një rrëfim, i cili përmes një kurioziteti të madh përthithej prej secilit pjesëmarrës.
Vepra “O magnum Misterium” e kompozitorit Hajrullah Syla u dha nën përcjelljen e tingujve të violonçelos, me të cilin performoi Antonio Gashi. Tingujt misterioz nga ky interpretim të ftonin pa nda në thellësi të veprës. Kurse lëvizjet skenike të dirigjentit Tatarchevski paraqitnin përmbajtje artistike e cila shprehej përmes gjuhës trupore, që bartej në kor, dhe prej andej në audiencën që qëndronte përballë tyre.
Ndërsa, vepra e Benjamin Britten “A hymn to the virgin”, ndau korin në dy pjesë. Pjesa dominuese e koristëve qëndronin në sallën interpretuese, përderisa një pjesë e tyre u zhvendos në katin e dytë të sallës. Interfetimi i zërave nga lartë-poshtë dhe poshtë-lartë paraqiste një moment sublim që ndërlidhej me vetë veprës dedikuar Virgjëreshës Mari, duke krijuar një imazh të përsosur shpirtëror.
Në koncert vepra e Ralph Vaughan- Williams- “The turtle dove” u dha si bashkëinterpretim me baritonin Safet Berisha, ndërsa vepra e Vlastimir Nikolovski- “Svrshuvachka” u soll si bashkëinterpretim nga sopranoja Kaltina Miftari dhe tenori Rizah Jahaj. Kurse vepra e Lorenc Antonit- “Çorapet e burrit” u dha për nderë të 115- vjetorit të lindjes së kompozitorit.
Veprat tjera që u dhanë në këtë mbrëmje ishin të kompozitorëve: Alfred Schnittke- “Three Sacred Hymns”, Manolo Da Rold- “Vi Adoro”, Ola Gjeilo- “Prelude” dhe Henryk Górecki- “Amen”.
Dirigjenti Sasho Tatarchevski u shpreh i lumtur që pati rast të bashkëpunojë me Korin e Filharmonisë së Kosovës, duke besuar që ky bashkëpunim të vazhdoj edhe në të ardhmen.
“Jam shumë i lumtur që e realizuam këtë koncert me njerëz profesional të korit. Me disa prej tyre jam takuar, dhe për disa kam dëgjuar në koncerte dhe ansamble. E kam dëgjuar Korin e Filharmonisë, e di që janë zëra të mahnitshëm me të cilët mund të realizohen programe serioze. Kam përzgjedhur një program që është i larmishëm por që nuk është i lehtë të këndohet. Shpresoj qe edhe audienca ta ketë pëlqyer dhe në të ardhmen të kemi mundësi që ta bashkëpunojmë në ndonjë projekt tjetër, përsëri”, ka thënë dirigjenti Tatarchevski.
Në një prononcim për KultPlus, sopranoja Kaltrina Miftari e cila në koncert u paraqit me një pjesë të veçantë interpretuese përvojën në realizimin e këtij koncerti e quajti fantastike.
Për mua si soliste, bashkëpunimi me dirigjentin Sasho Tatarchevski ishte kënaqësi e veçantë, dhe atmosfera e krijuar me korin e Filharmonisë së Kosovës ishte fantastike. Performanca sot ishte një shembull i bukur se si harmonia dhe uniteti në muzikë mund të ndikojnë në emocione, si për ne si artistë, ashtu si për publikun”, është shprehur Miftari.
Ndërsa sopranoja Elikona Hysaj- Shala u shpreh entuziaste për emocionet të cilat i mori nga publiku në koncertin e natës së mbrëmshme.
“Gjatë provave kemi pasur momente shumë të mira, shumë pozitive me dirigjentin i cili është i jashtëzakonshëm. Me punën e tij ka arritur t’ia rikthej një ngjyrim ndryshe të korit. Prandaj e komplimentoj dirigjentin i cili ka bërë një punë shumë të madhe. Është një eksperiencë shumë e mirë kur të kemi dirigjent të ndryshëm sepse eksperiencat dallojnë prej njëra tjetrës dhe ne arrijmë të ndryshojmë varësisht nga kërkesat e dirigjentëve. Më vjen mirë që sezonin i re e kemi hapur me një dirigjent jo vendorë për arsye që mbrëmjes dhe kalendarit artistik të Filharmonisë së Kosovës t’ia japim këtë freski”, ka përfunduar Hysaj- Shala./ KultPlus.com