19 Janar, 2025 - 2:15 pm
Institucioni më i lartë i muzikës në vend, Filharmonia e Kosovës, ka njoftuar se Kori i Filharmonisë vitin artistik 2025 do të nisë me një koncert në Prizren, shkruan KultPlus.
Me një program të pasur me vepra bashkëkohore, Kori do të paraqitet para publikut nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, me pjesëmarrjen e Ansamblit Harkor dhe Perkusioneve të Filharmonisë së Kosovës.
Në këtë mbrëmje do të interpretohen vepra nga Kushtrim Gashi, Vasil S. Tole, Hajrullah Syla, Rafet Rudi, si dhe nga dy kompozitorë amerikanë: Jake Runestad, fitues i çmimit Emmy, dhe Eric Whitacre, fitues i çmimit Grammy.
Koncerti do të mbahet në Autostrada Hangar, në Prizren, më 24 janar 2025, duke filluar nga ora 19:30.
Për të ndjekur koncertin, mjafton të rezervoni falas në këtë link: https://bit.ly/4aeiqFU/ KultPlus.com