14 Tetor, 2021 - 12:36 pm
Flonja Haxhaj
Nën dirigjimin e dirigjentit, Edon Ramadani, Kori i Filharmonisë së Kosovës emocionoi publikun mbrëmë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë përmes interpretimit të pa shoq të veprave të mëdha botërore, shkruan KultPlus
Koncerti filloi me këngën ‘Thou Knowest Lord, the Secrets of our Hearts’ nga Henry Purcell, që mbajti vëmendjen dhe emocionin e publikut të ngërthyer pas çdo tingulli që lirohej me mjeshtëri nga pjesëtarët e Korit të Filharmonisë së Kosovës. Atmosfera që përcollën u vërejt edhe në duartroktijet e publikut pas përfundimit të kësaj kënge.
Sopranoja Kaltrina Miftari mori vëmendjen e të gjithëve me interpretimin e ‘Come Again’ të John Dowland, nën shoqërimin e Diellza Sylejmanit si alt, Etrit Nura tenor dhe Shaban Behramaj bas. Artistët sollën stilin melankolik gjatë interpretimit tejet të veçantë të këngës së vitit 1597.
Ky koncert solli edhe këngën e William Henry Smith ‘Ride the Chariot’, që u interpretua nga sopranoja Adelina Paloja dhe mezosopranoja Elikona Hysaj-Shala duke vazhduar më pas me ‘Michelle’ nga John Lennon dhe Paul McCartney, një ribërje korale dhe orkestrale ku shkëlqeu tenori Liridon Sadiku.
Të pranishmit që kishin mbushur plot ulëset në ateliejën e Pallatit të Rinisë, patën mundësinë të shijojnë më pas këngët ‘Can’t buy me love’ të John Lennon dhe Paul McCartney të interpretuar nga pjesëtarët e Korit të Filharmonisë së Kosovës.
Më pas, kori solli për publikun edhe veprat ‘Over the Rainbow’ ku u dallua sopranoja Shkurte Hykaj, ‘Don’t get around much anymore’ të Duke Ellington, ‘M-O-TH-E-R’ të Theodore Morse dhe Howard Johnson dhe ‘Sweet Adeline’ nga Harry Armstrong.
Okteti i meshkujve me një interpretim të veprave ‘Margie’ të Con Conrad dhe J.Russel Robinson dhe ‘K-K-K-Katy’ të Geoffrey O’hara, sollën një atmosferë të re dhe tejet të veçantë në sallë. E pas tyre, në mes të skenës u vendosën kori i femrave që shpalosën një version të rrallë të këngës ‘Mr. Sandman’ të Pat Ballard.
E krejt në fund, nën shoqërimin e pianistit Andi Duraku, Kori i Filharmonisë së Kosovës solli përsosmërinë e muzikës Jazz përmes interpretimit të këngëve ‘Kyrie’, ‘Gloria’, ‘Sanctus’, ‘Benedictus’ dhe ‘Agnus Dei’ nga Bob Chilcott e që pas përfundimit u përcoll me duatrokitje disaminutëshe të publikut.
Ndërkaq dirigjenti Edon Ramadani ka folur për KultPlus ku ka shpjeguar programin e këtij koncerti.
“Programi i koncertit përmban vepra nga repertoari koral britanik dhe amerikan! Programin e kam ndarë në 5 blloqe të ndryshme stilistike: Renesancë Britanike, Gospel/Spirituale, Riberje dhe aranzhime korale, Barbershops dhe blloku i fundit me xhaz meshen e B. Chilcott – Nidaros Jazz Mass.” – thotë Ramadani duke shtuar se është tejet i kënaqur që ka punuar me Korin e Filharmonisë së Kosovës, pjesë e së cilës ishte edhe ai gjatë viteve 2006-2008.
Të njëjtin koncert publiku mund ta shijojë edhe këtë të shtunë në Shkup.
“Koncertin do ta shfaqim edhe të shtunën (16.10.2022) ns sallën e madhe të Filharmonise së Maqedonisë, ku salla dhe masat kufizuese aktuale te atjeshme, do të na mundesojnë që të pranojmë një numër mjaft të madh të publikut, gjë që fatkeqësisht nuk patëm mundësi që ta bëjmë edhe në Prishtinë për shkak të kufizimeve anti-Covid. Prandaj, do t’i mirëpresim me kënaqësi te gjithë pëlqyesit e muzikës korale per ta ndjekur këtë koncert në Shkup”- shton Ramadani për KultPlus./KultPlus.com