17 Maj, 2024 - 12:03 pm
Vjollca Duraku
Foto: Enes Sahiti
Në akustikën e mrekullueshme të Kishës “Shën Ndou” Kori i Filharmonisë së Kosovës, Ansambli Harkor dhe pianisti Andi Duraku, nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla dhuruan spektër emocional përmes një koncerti të pasur artistik, i cili u mbajt për të shënuar 65-vjetorin e vdekjes së kompozitorit Halit Kasapolli, shkruan KultPlus.
Ambienti i errët dhe i ftohtë i sallës ku mbahej mbrëmja artistike që ndërthurte elegancën, seriozitetin dhe misterin i jepte koncertit një karakter mjaft të veçantë, ku në fokus qe edhe vepra premierë “Like the Touch of Rain”, e cila ishte kompozim i vet dirigjentit Syla.
Interpretimi harmonik i tingujve të koristëve me pianon dhe ansamblin harkor që rrjedhte aq natyrshëm me drejtimin e dirigjentit, i cili ishte edhe kompozitori i veprës, mundësoi që fillimisht premiera të prezantohej me një kualitet të lartë, e më pas si e tillë edhe të pranohej nga audienca në sallë.
Vepra “Bash n’zaman të djelmënisë” e kompozitorit Halit Kasapolli e cila u interpretua në nderim të jetës dhe veprës së tij, u dallua nga veprat tjera përmes tingujve mjaft të veçantë. Ndërsa pika interpretuese “Spirit” e Rawn Harbor, i shtoi gjallërinë sallës me tinguj më të lartë dhe më dinamikë duke lënë një shije fantastike te publiku.
Kurse në interpretimin e veprës “Sei, lieber Tag, willkommen” të autorit Johannes Brahms, fillimisht tërhoqi vëmendje radhitja e antarëve të Korit të Filharmonisë, të cilët në dy radhë u shfaqën të përzier grupi i burrave dhe ai i grave. Pastaj ishte energjia dhe timbri i tyre ai që mori me vete audiencën deri në fund të koncertit.
Veprat tjera të cilat u interpretuan në koncertin e mbrëmshëm ishin: “Der Gang zum Liebchen” nga Johannes Brahms, “All Seems Beautiful to Me” nga Eric Whitacre, “ Becoming the Ocean” nga Jake Runestand, “Earth Song” nga Frank Ticheli, “I am the world” nga Lauren Biggs dhe “Jupiter” nga Michael Ostrzyga, të cilat publiku po ashtu i mirëpriti mjaft mirë.
Krejt në fund të koncertit Dirigjenti Hajrullah Syla tha se ndihet shumë i kënaqur që para publikut arritën të paraqesin në mënyrën më të mirë të mundshme një program me kërkesa të larta artistike.
“Gjatë gjithë kohës së interpretimit të koncertit të sotëm kam pasur një ndjenjë tepër të mirë. E pata një feedback mjaft të mirë edhe nga kori kështu që jam shumë i kënaqur me gjithë koncertin. Për një kohë kaq të shkurtër kemi arritur që ta sjellim në mënyrën më të mirë të mundshme para publikut një program të tillë, i cili ishte mjaft sfidues atraktiv” është shprehur dirigjenti Syla.
Sigurisht, gjithë entuziazmin për koncertin e interpretuar dirigjentit Syla ia shtonte edhe fakti që publiku e priti mjaft mirë edhe veprën “Like the Touch of Rain” të kompozuar nga vetë ai.
“Vepra ime është e shkruar për këtë koncert. Ishte një premierë për të cilën është menduar gjatë për t’u shkruar. Përbëhet nga një formacion instrumentistësh harkorë – piano – kor mix. Jam shumë i kënaqur me interpretimin e veprës dhe po besoj që energjia dhe gjithë ajo çka kam dashur të shprehë përmes muzikës është përcjellë sonte te publiku të cilët edhe e pritën mjaftë mirë”, ka thënë Syla duke potencuar se reagimi i publikut e drejton një artist menjëherë drejt krijimeve të tjera
“Për mua si krijues është frymëzim dhe thjesht një shtytje për të vazhduar tutje. Realisht kompozimi është pjesë e jetës sime, është profesion i imi, kështu që sigurisht që kur vepra pritet mirë nga publiku atëherë kompozitori, nuk ka çfarë pret tjetër përveçse të filloj menjëherë me vepra të tjera”, ka përfunduar ai.
Kurse për pianistin Andi Duraku puna për të sjellë këtë koncert premierë ishte kënaqësi e madhe, pasi pjesëmarrëja e muzikantëve profesional ia lehtësonte mjaft shumë punën.
“Me të vërtetë ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme. Ishin të gjitha veprat premierë që u ekzekutuan për herë të parë për publikun tonë. Secila vepër mendoj se është realizuar në maksimumin e tyre. Unë kisha kënaqësinë të interpretoj në shumicën prej tyre me piano. Me të vërtetë është kënaqësi sa herë që bashkëpunoj me këtë kor të mrekullueshëm dhe me dirigjentin Hajrullah Syla” ka thënë pianisti Duraku.
Ndërsa, konert mjeshtri i Filharminisë së Kosovës, Festim Fanaj, i cili në koncert mori pjesë edhe si shikues edhe si interpretues tha se Kori i Filharmonisë në këtë koncert pati një paraqitje mjaft dinjitoze.
“Sonte isha në rolin e udhëheqësit të Ansamblit Harkor, që ka qenë i inkorporuar me Korin e Filhrmonisë, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës. Ne si ansambël kemi performuar një pikë, tjerat kanë qenë të gjitha me piano dhe kor. Me të vërtetë kori ka qenë sonte shumë, shumë në nivel të bukur me tinguj të homogjenizuar, ritmikisht, gjithmonë bashkë, me harmoni në mes të tyre. Është vërejtur një dinamikë shumë bukur e thksuar me shumë oscilime, piano dhe de forte” është shprehur koncertmjeshtri Fanaj i cili pati komente shumë pozitive edhe për veprën premierë të dirigjentit Syla.
“Me të vërtetë ka bërë një vepër shumë interesante, shumë të bukur, moderne, kontemporane. Gjithashtu ka pasur edhe sentiment në atë vepër. Mua më ka pëlqyer dhe për këtë e përgëzoj dirigjentin Syla. Besoj që kjo vepër tashmë do të performohet edhe në qytete dhe shtete të tjera” ka thënë Fanaj.
Kurse antarja e Korit të Filharmonisë, Elona Sadiku, për KultPlus është shprehur se se ndihet e lumtur që pas një pune shumë të lodhshme koncerti kishte rezultuar me një performancë mjaft të suksesshme.
Për koristen Sadiku vepra “ Bash n’zeman…” i kishte lënë një ndjenjë të thellë gjatë interpretimit ngase ishte dedikim për kompozitorin Halit Kasapolli.
“Ka qenë vepra “Bash n’zeman…” nga kompozitori Halit kasapolli e cila më ka prekur jashtëzakonisht shumë për shkak se e ka përshkruar jetën e tij të shkurtër si kompozitor. Kjo vepër që është sjellë me aranzhim të kompozitorit Hajrulla Syla tregon historinë e tij se si një sëmundje për një kohë të shkurtër ja ka marrë jetën. Për mua kjo ka qenë kjo pika më e ndjeshme”, ka përfunduar Sadiku./KultPlus.com