Kori i Grave ‘Lira’ jep premierën e këngës ‘Shtati’ në KultPlus Caffe Gallery

7 Nëntor, 2021 - 6:00 pm

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në ambientin e KultPlus Caffe Gallery, Kori i Grave ’Lira’ dha premierën e këngës ‘Shtati’, këngë kjo me mesazhe të forta e shkruar nga Sibel Halimi dhe kompozitore Pranvera Badivuku, shkruan KultPlus

E pranishme në këtë mbrëmje ishte Sibel Halimi e cila ka shpjeguar arsyen e kësaj poezie, e që është shndërruar në këngë për korin ‘Lira’.

“Unë shkruaj që një kohë të gjatë, por jo gjithmonë poezitë e mia janë shndërruar në këngë. Ka qenë poezia ime e parë e cila është shndërruar në këngë. Ideja është që gjithmonë gratë janë identifikuar me biologjikën, janë identifikuar me trupin dhe pothuajse ato kanë  qenë të burgosura në trupin e tyre dhe vështirë e kanë pasur që të marrin një veprim për të ndryshuar jetën dhe për të ndryshuar këtë botëkuptim tradicional që të gjitha formacionet shoqërore e kanë bërë që gruaja të identifikohet vetëm me trupin, me bilogjikën. Arsyeja apo motivi kryesor i poezisë është që pavarësisht që ne rrënjët i kemi në trup, në natyrë, ne gjithmonë kemi një arsye edhe për të qarë edhe për t’u arratisur, edhe për të krijuar një diell për vete.  Përpjekja ime përmes poezisë është që thjesht që gratë t’i zhveshim nga trupi dhe t’i shndërrojmë në një akt lirie.”-thotë Halimi.

Ajo tutje shton se është shumë e lumtur që kjo këngë po këndohet pikërisht nga gratë.

Ndërkqa, kompozitorja Pranvera Badivuku shpjegon mënyrën e kompozimit të kësaj kënge e që sipas saj përcjell mesazhe të forta.

“Fillimisht më është dukur që teksti nuk është shumë i përshtatshëm për komponim se zakonisht kënga kërkon tekste të rimuara më tepër strofike, e këtu ishin vetëm dy strofa. Por, duke e analizuar tekstin dhe duke parë përmbajtjen e tij dhe qëllimin e fuqia e vetë tekstit më duket se ia kam arritur me i jep melodi dhe me i fuqizu disa elemente të tekstit edhe përmes kangës.” – shprehet Badivuku e cila edhe e përgëzon korin për interpretimin.

Drejtoresha e Korit ‘Lira’, Valire Spahija Buza, flet për KultPlus, duke dhënë më shumë detaje rreth këtij kori dhe këgës që ato mbrëmë kënduan për herë të parë.

“Kori takohet 2-3 erë në javë, sepse në koret profesioniste që i njeh notat është më lehtë. Mirëpo, te këto këngëtare e kemi gjetë tjetër një mënyrë, që ndonëse nuk i dijnë notat, dijnë si me u gjetë, vetëm përmes ushtrimeve”- thotë Spahija – Buza.

“Këtë herë kishim këngën dy zërëshe të kompozuar nga Pranvera Badivuku, që u realizua me sukses me punën tonë dhe angazhimin e anëtareve të korit” – shton ajo.

Ndërkaq në lidhje me punën e saj në korin ‘Lira’, flet për KultPlus edhe anëtarja  Mirlinda Ahmeti e cila është pjesë e këtij kori që dy vit.

“Ky është një kor amater, ne kemi arrit me u kyq mjaft mirë, ndonëse pandemia pak na i ka vështirësuar punët por tash është më mirë. Ndiehmi jastëazakonisht mirë  që me korin ‘Lira’ po e interpretojmë këngën e një emri siç është Pranvera Badivuku. “- thotë Ahmeti.

Në mbërmjen e djeshme, Kori i Grave ‘Lira’ përveç këngës ‘Shtati’ interpretuan edhe këngë të tjera si ‘Dashninë që kam për ty’, ‘Këngën kushtuar Prishtinës’, ‘Ani ma ke shtatin’ dhe ‘Ani mori nuse’./KultPlus.com

Të ngjajshme