Kori “Lira”, koncert në Selanik

10 Shkurt, 2025 - 12:45 pm

Në një prej teatrove të Selanikut, këtë fundjavë, u kënduan këngët e Korit “Lira”.

Koncerti në Selanik i korit i cili mban titullin “Nderi i Kombit” ishte një ngjarje që ka ngjallur emocione të veçanta tek bashkatdhetarët që jetojnë në Greqi.

Në një sallë të mbushur plot me dashamirës të muzikës dhe artit, teatri “Aneton” u bë dëshmitar i një performance të paharrueshme, ku Kori “Lira” përcolli disa nga pjesët më të bukura të repertorit të tij, të cilat janë të lidhura me trashëgiminë muzikore të qytetit të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë.

Dhjetëra emigrantë shqiptarë por edhe miqtë e tyre grekë kanë mbushur sallën e teatrit Aneton, ku performoi kori me histori 100-vjeçare. Ky aktivitet erdhi në përgjigje të ftesës së bërë nga Kori “Armonia” i Selanikut.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo, në një mesazh në rrjetet sociale e vlerësoi këtë koncert si një rikthim te origjina, një moment emocionues me bashkatdhetarët që edhe pse larg atdheut ruajnë fort lidhjen me traditat dhe identitetin e tyre kombëtar./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme