Kori ‘Okarina’ dhe Kori & Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës ‘Amadeus’ bashkojnë forcat në koncert festiv për edukimin e një publiku artdashës

23 Dhjetor, 2024 - 10:08 pm

Vjollca Duraku

Sonte, në Katedralen “Nënë Tereza” është mbajtur koncerti festiv “Eja festo me ne” nga Kori i fëmijëve “Okarina” në bashkëpunim me Korin & Orkestrën e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus”, nën organizimin e “Rame Lahaj International Opera Festival” , shkruan KultPlus.

Përveç muzikës, gëzimit dhe atmosferës festive sonte në qendër të vëmendjes ishin edhe fëmijët e mrekullueshëm të koreve dhe orkestrës që përveç emocioneve të shumta që dhuruan në sallë, me vete morën edhe një përvojë jashtëzakonisht të bukur, që padyshim do t’u shërbejë për karrierën e tyre artistike.

Ky koncert në të cilin u interpretuan vepra të autorëve të njohur botërorë dhe vendorë është organizuar me qëllim të edukimit të brezave të rinj, dhe për të kontribuar në krijimin e një publiku artdashës, pasi edukimi përmes artit konsiderohet themel i zhvillimit të tyre.

Një iniciativë e tillë kishte zgjuar interesimin e një publiku jashtëzakonisht të madh në numër, të vendosur cep më cep të sallës, të cilët e shijonin thuajse çdo notë të emetuar nga talentët e vegjël. Ishte vepra “Radetzky March” nga J. Strauss ajo që publikut i zgjoi pafund emocione. Duartrokitjet e tyre me ritëm herë më të shpeshtë e herë më të ngadalshëm përshtateshin mrekullisht me tingujt e orkestrantëve.

Kurse, interpretimi i përbashkët i të dyja koreve dhe orkestrës me veprën “Silent Night” nga F. X. Gruber dha kulminacionin e mbrëmjes. Veprat të cilat u interpretuan në koncert janë: “La sui monti dell’est nga opera Turandot”- G. Puccini, “Valsi- Pjesa korale nga baleti arrëthyesi”- P.I tchaikovsky, “Shchedryck”-M. Leontovyč, “Revolting Children- nga musical Matilda”- T. Minchin, “Eja me mua”- A. Hila, “Love Theme nga Romeo and Juliet”- N. Rota, “Gramophone Waltz”- E. Doga, “Radetzky March”- J. Strauss, “And the WaltzGoes On”- A. Hopkins, “All i want for Christmas”- M. Carey & W. Afanasieff, “Malësorja”- L. Antoni.

Pas koncertit të mrekullueshëm, i cili u organizua në prag të festave të fundvitit, pasuan edhe befasitë e mbrëmjes, ku sponzorët e koncertit u kujdesën që të gjithë fëmijëve në sallë t’u jepeshin dhurata dhe të bënin fotografi me Babadimrin. Një nur që iu shëndrriste fëmijëve ishte trofeu i festave të fundvitit për të gjithë prindërit në sallën e katedrales “Nëna Terezë”.

Krejt në fund të ngjarjes, në një prononcim për KultPlus, drejtoresha e shkollës “Amadeus”, Hana Petrovci ka thënë se është jashtëzakonisht e kënaqur me performancën e nxënësve dhe me mbarëvajtjen e koncertit.

“Orkestra dhe Kori nuk janë mësuar të koncertojnë në një ambient siç është ky i Katedrales, megjithtë sot ka qenë një koncert mrekullisht i bukur sepse gjithçka pati hijeshinë e vet, edhe ambienti por edhe instrumentet që u akorduan shumë mirë. Edhe kori intonoi shumë bukur. Ka qenë një koncert me të vërtetë i mrekullueshëm, si për nga ambienti po ashtu edhe nga veprat që nxënësit i interpretuan, jemi jashtëzakonisht të kënaqur”, ka thënë ajo.

Petrovci më tej ka thënë se shkolla “Amadeus” me kënaqësi e ka pritur ftesën për të mbështetur qëllimin fisnik të fondacionit “Rame Lahaj”.

“Ne u ftuam nga zoti Ramë Lahaj dhe fondacioni i tij për të përmbyllur vitin 2024 me një koncert dhe me program të cilin veçse e kemi pasur gati, e për të cilin kemi punuar që nga shtatori. Ideja ka qenë të bashkëpunojnë dy koret në mes veti për të shfaqur art dhe kulturës përmes fëmijëve, sepse fondacioni Rame Lahaj e ka mision edukimin e brezave të rinj për të rritur një publik artdashës”, ka thënë gjithashtu Petrovci.

Ndërkaq, dirigjenti Vehbi Shosholli ka thënë se ndihej jashtëzakonisht i lumtur që ky koncert në të cilin u interpretuan me vepra të përzgjedhura vendore dhe botërore përfundoi ashtu siç është planifikuar.

“Ka qenë një ftesë e spikatur nga Rame Lahaj International Opera Festival, ku ne Kori dhe Orkestra e Fëmijëve të Prishtinës “Amadeus” në bashkëpunim me korin “Okarina” kemi organizuar këtë koncert. Mendoj që koncerti ka shkuar shumë mirë, publiku janë kënaqur, veprat kanë qenë të përzgjedhura, një program me kolorit përmbajtjesh. Besoj që kemi dhuruar një koncert të mirë”, ka përfunduar Shosholli./ KultPlus.com

Të ngjajshme