4 Mars, 2019 - 10:19 pm
Nga data 6 deri më 12 mars, kori ‘Siparantum’ nga qyteti i Pejës do të udhëtojë kryeqendrën e muzikës korale, në qytetin e Romës, shkruan KultPlus.
Kori “Siparantum” do të prezantojnë dy koncerte të muzikës korale, njëra në Chiesa di San Salvatore in Lauro (afër Vatikanit) dhe tjetra Basilica San Antonio – Pontificia Universitá Antonianum, në Romë.
Dirigjenti i korit Memli Kelmendi është shprehur i lumtur që brenda dy viteve kanë realizuar shumë koncerte dhe programe të larmishme brenda dhe jashtë vendit.
“Sukseset tona po rriten çdo ditë prandaj ky është një sukses jashtëzakonisht i rëndësishëm për gjithë ne. Po vërtetohet që punë është dëshmi e suksesit. Sigurisht që ky udhëtim do të jetë ndër më të rëndësishmet”, u shpreh Memli Kelmendi, dirigjent i korit.
Kryetari i korit, Fatmir Bajraktari ka thënë se reagimi i audiencës që ka mirëpritur koncertet e tyre, ka qenë një motiv shtesë për të vazhduar tutje.
“Me t’vërtetë kemi punuar shumë por kënaqësia çdo herë ka qenë që të mendojmë dhe realizojmë gjëra të bukura dhe kjo po dëshmohet me pjesëmarrjet tona brenda dhe jashtë vendit”, u shpreh Fatmir Bajraktari, kryetar i korit.
Rikujtojmë që kori Siparantum më pare është paraqitur në Kroaci, Francë, Festivalin Ndërkombëtar të Koreve Botërore Nancy Voix Du Monde dhe tani në Romë, Itali. Kelmendi ka thënë se për këtë vit kanë edhe dy ftesa ndërkombëtare.
“Aktualisht kemi edhe dy ftesa të tjera ndërkombëtare për vitin 2019, por meqë udhëtimet tona kërkojnë një kosto të lartë dhe për ne është e papërballueshme për shkak të numrit të madh të koristëve ne do të përcaktohemi për njërën nga këto”, u shpreh Memli Kelmendi.
Koncertet do të drejtohen nga dirigjenti permanent I korit Siparantum Memli Kelmendi dhe kompozitori dhe dirigjenti I mirënjohur kroat Josip Degl’ Ivellio me të cilin Siparantum ka patur edhe më herët bashkëpunime./ KultPlus.com