14 Tetor, 2019 - 3:48 pm
Kori “Siparantum” nga Peja edhe pse ka më pak se tre vite që nga themelimi, po tregon suksese të vazhdueshme brenda dhe jashtë vendit, shkruan KultPlus.
Ky kor së fundmi është shpërblyer në garën ndërkombëtare të koreve evropiane, në edicionin e 15-të të “International Choir Contest Flanders”.
Kjo ishte hera e parë që një kor nga Kosova pranohet në festivalin ndërkombëtar në IKV International Choir Contest Flanders, Belgjikë, i selektuar në mesin e shumë shteteve evropiane si; Republika Çeke, Sllovenia, Hungaria, Belgjika etj.
“Të jesh i selektuar në një festival të nivelit të tillë, konsideroj që është një sukses shumë i madh, jo vetëm për mua, por përgjithësisht për kulturën tonë. Vet selektimi i korit Siparantum, konsideroj që është sukses në vete, duke e marrë parasysh konkurrencën e madhe që sot është në botë”, ka thënë dirigjenti Memli Kelmendi për KultPlus.
Dita e parë e korit dha emocione të papërshkrueshme, ishte ndjenjë e përfaqësimit të shtetit tonë të ri, pranë shteteve të cilët kanë traditë me qindra, mijëra vjeçare. Në ditën e parë kori u paraqit me vepra të kompozitorëve John Bennett, Josef Rheinberger, Josquin Des Prez, Rafet Rudi dhe ajo që ishte pothuajse më kryesore, vepra në kategorinë Compulsory Ëork e kompozitorit të njohur botëror Jan Van Der Roost, Amor io fallo në kategorinë e koreve miks. I pranishëm ishte vet kompozitori i cili pas përformancës vlerësoj lartë interpretimin, paraqitjen dhe koreografinë e korit duke thënë se këtë nuk e prisja, ishte një paraqitje fantastike.
Në mbrëmjen e datës 5 tetor, në sallën koncertale C-Mine të Genk, kori Siparantum u paraqit me një program koncertal me vepra të kompozitorëve të njohur botëror. Korit i parapriu Hobo & Fagot-enseble en Sax-ensemble e akademisë së muzikës të Genk më pas Balletschool Veronique Lenaers Genk. Programi u vlerësua lartë nga kritikë të muzikës nga mbarë bota që ishin prezent.
Dita e dytë, korin e gjeti me një performancë të karakterit tjetër, interpretimi i veprave të gërshetuara me koreografi, lëvizje dhe interpretim të veprave kontemporane; Gerar Guevara, Kreshnik Aliçkaj dhe Folke Rabe.
“Edhe pse nuk arritëm të jemi në mesin e tre të parëve, kori u klasifikua në top pesëshe që poashtu u kurorëzua me Honorable Mention të festivalit IKV International Choir Contest Flanders. Padyshim që ky është sukses për ne. E rëndësishme është që ne kemi krijuar kontakte të shumta ku padyshim që do të jenë në dobi të korit tonë. Performancat tona janë pëlqyer, kjo ne na ka mësuar shumë, ishte përvojë e re, do të mbesin kujtimet më të bukura për ne”, ka thënë Memli Kelmendi për KultPlus.
Në natën përmbyllëse të festivalit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve kori Siparantum u paraqit me veprën e kompozitorit të njohur shqiptar “Xhike-Loke” e cila është pëlqyer shumë qoftë nga publiku dhe juria profesionale.
Udhëtimi tjetër e gjen korin Siparantum në njërën prej kishave më të përshtatshme për koncerte të muzikës klasike në Bruksel, Eglise De L’Abbaye Notre Dame De La Cambre e cila u organizua me insistimin e familjes Berisha nga Peja në bashkëpunim me Les Grandes Heures De La Cambre.
“Konsideroj që ky ka qenë njëri prej koncerteve tona më të bukura. Ishte një organizim i përkryer të cilën nuk jemi mësuar të kemi deri më tash. Në Evropë është vështirë të mbushet një sallë me publik duke e marrë parasysh koncertet e shumta që organizohen brenda një dite, brenda një qyteti. Për neve ishte një emocion i papërshkruar meqë në koncert kishin ardhur shumë bashkatdhetarë por kishte edhe shumë të huaj, menaxherë të muzikës, muzicientë të huaj nga vende të ndryshme që kishin ardhur të ndjekin koncertin tonë në Bruksel. Ishte një koncert të cilin unë do të mbaj në mend gjatë gjithë jetës, është e pa përsëritshme“.
Në këtë koncert, kori u paraqit me vepra të kompozitorëve të njohur shqiptar dhe botërorë të cilët u pritën jashtëzakonisht mirë nga publiku, në repertor u realizuan vepra të përgatitura enkas për këtë program në përcjellje të Agron Shujakut, pianist dhe Luan Sapunxhiut, kitarë.
E veçanta e këtij koncerti ishte bashkëpunimi me kuartetin fantastik të harqeve nga Akademia e Muzikës së Brukselit, Sarah Bayens, Chen Lim, Maxime De Petter, Joachi Jamaer me të cilin kori realizoi dy vepra të kompozitorëve Gjeilo dhe Jenkins. Padyshim që kjo erdhi si rrjedhojë e bashkëpunimit me Guy Danel, professor në Conservatoire Royal de Bruxelles, i cili pas përfundimit të koncertit vlerësoi lartë paraqitjen dhe repertorin kolosal të korit Siparantum.
Vet Marguerite Ray, organizatore e koncertit në Bruksel në fund të koncertit të pranishmëve ju drejtua me një fjalë “ka kohë që në këtë kishë nuk është dëgjuar muzikë kaq e bukur“.
“Tashmë kemi siguruar më shumë se tre ftesa për vitin 2020/2021. Uroj që organet kompetente të kenë qasje më delikate në realizimin e objektivave tona të përbashkëta artistike”, ka thënë tutje Memli.
Sot kori Siparantum ka korin e fëmijëve, korin e femrave, korin e meshkujve dhe korin miks. Përpos paraqitjeve të shumta në vend, ka qenë pjesëmarrës në festivalin Internacional të Koreve “Nancy Voix Du Monde” Francë, me ç ‘rast Kosova është paraqitur për herë të parë në këtë festival, duke koncertuar në vendet më të njohua të vendit si: Le Temple Protestant De Nancy, Héré, Grands Salons de Ville, Lunéville, Cathédrale Notre-Dame-de-l’Annonciation Saint-Sigisbert, për të vazhduar me koncertet në Hrvatski Glazbeni Zavod, Mimara, Crkva Pavla, Zagreb, Kroaci. Në muajin mars kori ka mbajtur dy koncerte të rëndësishme në Romë dhe Vatikan, Chiesa di San Salvatore, Lauro, Rome, dhe Basilica San Antonio – Pontificia Universitá Antonianum, Roma për të vazhduar me turneun e koncerteve në Shkodër dhe në festivalin ‘Skena e Muzikës Serioze Shqiptare’ Tetovë, Maqedonia Veriore.
Gjatë muajve në vijim kori do të shpalos ftesat për festivalet e tjera të radhës në Evropë. / KultPlus.com