18 Maj, 2023 - 5:32 pm
Flonja Haxhaj
Fotografitë: Arben Llapashtica
Mbi 150 interpretues nga Kosova e Shqipëria, ishin mbledhur mbrëmë në skenën e sallës ‘AMC’ për të sjellë një vepër që e pasqyron në një dimension jetësor e më shpirtëror, përveç atij heroik e historik, Gjergj Kastriot Skëndërbeun.
Vepra ‘Gjergj Kastrioti Shkënderbeu, Kryezot i Arbërit’, nga kompozitori Vasil Tole erdhi mbrëmë premierë në Kosovë, ku përveç që u soll magjishëm figura e heroit kombëtar, i ribashkoi edhe njëherë dy prej institucioneve më të rëndësishme skenike të të dyja vendeve, Orkestrën dhe Korin e Filharmonisë së Kosovës dhe Korin e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Shqipëri, nën dirigjimin e mjeshtrit Sieva Borzak, shkruan KultPlus.
E që kjo vepër u mirëprit edhe nga publiku i Prishtinës, u vërejt që në minutat e parë, atëherë kur të gjitha ulëset ishin mbushur plot dhe të gjithë ishin kuriozë në pritje të asaj që do të shfaqej më pas.
Me orkestrën në një pjesë, korin që përveç në interpretim edhe ishin rreshtuar në sinkron me njëri-tjetrin, po ashtu edhe solistët e përzgjedhur nga kompozitori, ndonëse në një sallë jo adekuate, arritën të përcjellin tek publiku një emocion vështirë të harrueshëm.
Emocioni u shtua edhe më shumë me fikjen e dritave dhe ndriçimi i vetëm mbeti në skenë, tek ata që do të mbanin vëmendjen e publikut të pushtuar për gati 63 minuta, ku përveç interpretimit edhe imazhet që lëviznin në prapavijë i shtonin edhe më shumë madhështinë kësaj ngjarje.
E pas më shumë se një ore mishërim me figurën më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar, kjo shfaqje dhe të gjithë interpretuesit që e bënë të mundur realizimin e saj në perfeksion, morën duartrokitje disa-minutëshe nga publiku.
Pas premierës në Kosovë, për KultPlus foli vetë kompozitori Vasil Tole, i cili shprehet i lumtur për shfaqjen e veprës së tij para publikut kosovar dhe sipas tij ky koncert e dëshmoi edhe njëherë për kapacitetet që artistët e të dyja vendeve kanë.
“Është premiera e parë e një vepre skenike shqiptare e cila replikohet në dy kryeqytetet tona, pra është një lloj kuptimi i një rekordi, që një vepër bëhet për shkak të forcimit të marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve tona dhe e dyta na bashkoi Skënderbeu përsëri, ku dy institucionet tona më të rëndësishme që kemi në fushën skenike, u bënë bashkë për ta realizuar këtë gjë dhe kjo provon që kemi fuqi interpretuese, kemi kapacitete muzikore të afta për të përballuar edhe vepra premierë dhe sigurisht edhe vepra të traditës që janë disi më të thjeshta për t’i interpretuar”, u shpreh Tole.
Më tutje, ai foli edhe për performancën e artistëve, e që sipas tij u realizua në maksimumin e cilësisë së mundshme.
“Kënaqësia ime si autor është e madhe, së pari sepse kam pasur edhe koncerte të tjera me krijimtarinë time në Prishtinë, por nuk kam pasur kurrë një vepër të këtyre përmasave që shkon deri në 63 minuta, kështu që kam kënaqësi që u realizua kjo vepër, që u realizua me maksimumin e cilësisë së mundshme, në kushtet e bashkëpunimit ndonjëherë edhe të vështira në kuptimin e mjeteve teknike dhe sigurisht jam i kënaqur që reagimi i publikut të Prishtinës ishte pozitiv”, tha mes tjerash kompozitori Tole.
Në këtë mbrëmje kushtuar Gjergj Kastriot Skënderbeut, u shqua baritoni Artur Vera, me disa pika interpretuese. Ai pas performancës tha për KultPlus se ndjehet i lumtur për paraqitjen dhe performancën e tij pikërisht në Prishtinë.
“Vepra e profesor Vasos është një vepër e re e sjellë dhe e konceptuar ndryshe që e lidh Skëndërbeun me përjetësinë, realitetin dhe historiken. Skënderbeu paraqitet si një Skënderbe i menduar, më shpirtëror, që tregon për jetën e tij, për frymëzimin e tij, për burimin e frymëzimit të tij për të luftuar dhe e lidh këtë figurë me Shëngjergjin”, tha ai, duke shtuar më tutje se për të sjellë këtë premierë dhe atë në Tiranë ka qenë një përgjegjësi dhe një punë shumë e madhe.
Ai më pas foli edhe për bashkëpunimin me Korin e Filharmonisë së Kosovës, bashkëpunim ky që ka qenë goxha i shpeshtë në kohët e fundit.
“Bashkëpunimi me Korin e Filharmonisë së Kosovës ka ndodhur shpesh këto kohëve të fundit, kemi qenë shumë të lumtur që i kemi pasur në TKOB dhe kësaj radhe erdhëm ne në Kosovë dhe jemi shumë të lumtur që ribashkëpunojmë me këtë vepër por edhe në vepra të tjera”, përfundoi Vera.
Në këtë mbrëmje madhështore, emocione dhuroi edhe performanca e sopranos Kaltrina Miftari, e cila shprehet e privilegjuar për paraqitjen e saj si soliste pikërisht në këtë vepër.
“Ishte kënaqësi e veçantë të paraqitem si soliste në premierën e veprës madhështore “Skënderbeu” te kompozitorit tonë Vasil Tole. Por sigurisht një vepër e përmasave të tilla mendoj qe duhet te shfaqet në sallë adekuate. Opera e cila u shfaq mbrëmë në mënyrë koncertale sigurisht është edhe një provë më shumë për të tregu që edhe Kosova e meriton shtëpinë e Operës”, tha Miftari për KultPlus.
Ndërkaq drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, u shpreh për KultPlus që premiera e parë e veprës ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryezot i Arbërit’, ishte e planifikuar që të mbahej fillimisht në Prishtinë, megjithatë u bë në Tiranë ku Filarmonia e Kosovës pati mundësinë të jetë prezente në një objekt siç është ai i Teatrit Të Operës dhe Baletit, hapësirë kjo që e mundëson realizimin në detaje të një vepre skenike siç ishte kjo e kompozitorit Tole.
“Ne u munduam që ta bënim premierën tonë këtu por në një hapësirë që natyrisht nuk i përmbush këto kritere përveç që jemi detyruar që të vijmë në këtë sallë e cila është e vetmja që e mundëson vendosjen e mbi 150 performuesve në skenë”, deklaroi Jashari, duke shtuar se realizimi muzikor ishte në një nivel tejet të lartë e profesional.
Ndërkaq, ju kujtojmë që vepra ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu – Kryezot i Arbërit’ nga kompozitori Vasil Tole dhe me me libret të kompozitorit mbi tekstin e Fan S. Nolit erdhi premierë në Prishtinë pas premierës së suksesshme që e pati në Tiranë më 9 maj./ KultPlus.com