25 Shtator, 2017 - 4:11 pm
Kosova mund të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës, Eurovision, në edicionin e saj të vitit 2018 që do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë.
Siç shkruan faqja zyrtare e Eurovision në gjuhën gjermane, edicioni i vitit të ardhshëm mund të përmabjë numrin më të madh të shteteve që garojnë në festival. Nga viti 2011, kur në Gjermani kishin marrë pjesë më së shumti konkurrent – plot 43 shtete – në edicionin e vitit 2018 të Eurovisionit mund të tejkalohet ky numër.
Kosova dhe Kazakistani mund të jenë dy shtetet tjera që do marrin pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm, shkruan Insajderi.
Siç shkruan faqja zyrtare e festivalit evropian të këngës, Eurovision.de, Kosova mund të marrë pjesë në garën e vitit të ardhshëm, nëse merr ftesë nga Portugalia, gjegjësisht nga Radio Televizioni i Portugalisë (RTP) që është organizator i festivalit.
Sipas rregullave të Unionit Evropian i Transmetuesve Publik (EBU), Kosova mund të marrë pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm në Lisbonë, pasi Portugalia e ka njohur shtetin e Kosovës.
Ndërkaq, Kazakistani ka vite që nuk merr pjesë në Eurovision, edhe pse është anëtare e EBU-së. / KultPlus.com