25 Maj, 2024 - 11:44 am
Flonja Haxhaj
Mbrëmjen e së enjtes, Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës mirëpriti një ngjarje të veçantë muzikore, koncertin ‘Kosova në tinguj’. Ky koncert ishte organizuar për të nderuar vizitën e gazetarëve ndërkombëtarë në Kosovë dhe kishte për qëllim të prezantonte kulturën dhe repertorin muzikor të Kosovës, shkruan KultPlus.
Koncerti u hap me veprën ‘Loja’ të kompozitorit të njohur Valton Beqiri, duke vendosur një ton solemn dhe emocionues për mbrëmjen. Nën drejtimin e dirigjentit Edon Ramadani, Orkestra e Operës së Kosovës dhe solo – këngëtaret sollën një performancë të paharrueshme duke sjellë perla nga repertori i muzikës shqiptare.
Sopranoja Besa Llugiqi ishte e para që doli në skenë, duke interpretuar këngën ‘Asaman’. Zëri i saj i fuqishëm dhe ekspresiv magjepsi audiencën dhe përgatiti të gjithë për mbrëmjen e veçantë që po i priste. Pas saj, sopranoja Adelina Paloja interpretoi këngën ‘Pranvera filloi me ardh’, performancë kjo që solli duartrokitje të shumta në publik.
Mbrëmja vazhdoi me sopranon Zana Abazi Ramadani e cila interpretoi këngën ‘O moj bukuroshe’. Zëri i saj melodik dhe interpretimi emocional shtuan një tjetër dimension artistik mbrëmjes.
Pjesa tjetër e koncertit vazhdoi me një seri këngësh shqiptare që ngjallën nostalgji dhe krenari kombëtare. Këngët ‘Lamtumirë’, ‘Me lule t’bukura’, ‘E kujtoj atë takim’, ‘Baresha’, ‘Kroi i fshatit tonë’, ‘Mallëngjimi’ dhe ‘Agimet shqiptare’ u interpretuan duke krijuar një atmosferë të veçantë për publikun.
Mbrëmja u përmbyll në mënyrë magjike me interpretimin e këngës ‘Valsi i Lumturisë’ nga trioja e sopranove Adelina Paloja, Besa Llugiqi dhe Zana Abazi Ramadani. Kjo performancë ishte kulmi emocional i koncertit, duke lënë një përshtypje të thellë tek të gjithë të pranishmit.
Pas koncertit ku u prezantuan disa nga perlat e muzikës shqiptare, për KultPlus foli sopranoja Adelina Paloja e cila shprehet se është ndjenjë e veçantë që të kthehet në këtë koncert pas suksesit që pati me operën ‘Goca e Kaçanikut’.
“Kënaqësi e jashtëzakonshme të rikthehem pas suksesit të ‘Gocës së Kaçanikut” i cili ka qenë një sukses ndoshta më i larti të themi i kohës së pas luftës sa i përket muzikës vokale. Pritja e sotme nga publiku i pranishëm ishte një motiv shtesë, një satisfakcion i i jashtëzakonshëm që të vazhdoj natyrisht edhe më tutje dhe arsyeja pse unë jam e lidhur aq fort përherë e them me publikun kosovar është pikërisht për shkak të këtyre duartrokitjeve të ngrohta që i marr përherë”, theksoi Paloja, duke shtuar më tutje se është po ashtu kënaqësi që të interpretojë vepra nga repertori i literaturës kombëtare.
“Kënaqësi e jashtëzakonshme interpretimi me një orkestër, me një repertor të literaturës kombëtare, të përzgjedhur nga dirigjenti, mendoj dhe besoj që kjo është një ogur i mirë edhe solo këngëtaret e reja, që të vazhdojnë më tutje dhe të kenë suksesin që kemi pasur edhe ne”, tha mes tjerash ajo.
Një pikë që ngjalli shumë duartrokitje në publik ishte edhe interpretimi i ‘Bareshës’ ku orkestrës ju shtua në interpretim në fyell dhe çifteli nga Gent Hoxha. Pas koncertit Hoxha tha për KultPlus se është i lumtur që pati rastin që të performojë këtë vepër në bashkëpunim me orkestrën e Operës së Kosovës, marrë parasysh faktin që bashkëpunimet e tilla janë të rralla.
“Është një kënaqësi e veçantë që sot elementet tona të muzikës tradicionale, muzikës tonë popullore u futën në këtë koncert të një pjese të orkestrës së operës sonë dhe për mua është gjithmonë kënaqësi e veçantë kur marr pjesë, sidomos nga maestro ynë i madh, profesor Edon Ramadani sepse në Kosovë nuk nuk kemi pasë rast me pa shpesh bashkëpunime të tilla. Në qoftë se ky koncert, ose pika ime e Bareshës, të shumëluajtur tashmë në Kosovë, ka tingëllu mirë, është falë ornamenteve që muzika jonë popullore i ka dhe falë instrumenteve që kanë një ngjyrë të jashtëzakonshme”, tha Hoxha për KultPlus.
E krejt në fund për KulPlus foli edhe dirigjenti Edon Ramadani, i cili si çdo herë arriti të bëjë një ndërlidhje të shkëlqyer mes orkestrës dhe solo-këngëtarëve. Ai theksoi se arsyeja e këtij koncerti erdhi pas vizitës së gazetarëve ndërkombëtarë në Kosovë, ku Opera e Kosovës organizoi një mbrëmje ku do të mund të prezantohet kultura muzikore kombëtare.
“Edhe shumë mirë që erdhi ky rast, erdhën gazetarë dhe ne i ndezëm motorat pak më shumë dhe i mblodhëm ato ilustrime që kishim deri tash, të cilat kryesisht ishin të profesorit Valton Beqiri dhe të miat dhe gjithashtu një të kompozitorit, Thomas SImaku nga Shqipëria. Kështu që besoj që në këtë format nuk jam i sigurt, po me një orkestër aq të madhe ndoshta edhe mund të jetë një program i tillë i i shfaqur për herë të parë dhe jemi të lumtur që kjo ndodhi edhe ndërkohë po mundohemi që ta pasurojmë edhe më shumë repertorin e e muzikës tonë, natyrisht me orkestrime dhe aranzhime për formacione të tilla, që ta kemi të mundur që ta prezantojmë kulturën tonë sa më mirë që është e mundshme”, përfundoi Ramadani./KultPlus.com