15 Qershor, 2022 - 1:04 pm
Kosova për herë të parë ishte nikoqire e gala koncertit muzikor me artistë të rinj nga vendet e Evropës Qendrore, në kuadër të Platformës Kulturore të Evropës Qendrore (PPCE), përcjellë KultPlus.
Në koncertin që u mbajt në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, performuan mjeshtërisht vepra të ndryshme të muzikës klasike në piano, violinë, flaut dhe klarinetë, Avigea Louisa Delivicheva nga Austria, Adam Bydžovský dhe Veronika Lišková nga Çekia, Teo Gertler nga Sllovakia, Amira Abouzahara, Marian Abouzahara, Nora Emody nga Hungaria, dhe Lisa Sahaqiu nga Kosova.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ambasadori i Hungarisë, József Bencze, ambasadori i Çekisë, Pavel Bilek, shefi i zyrës së Sllovakisë, Rastislav Kostilnik, drejtorë të PCCE-së të shteteve anëtare, Martin Pammer, Rafal Wolks, Martina Pivonkova dhe Klára Nagy-Gery, muzicientë e artdashës.
Ministri Çeku e cilësoi këtë ngjarje si shumë të rëndësishme për thellimin e komunikimit kulturor dhe bashkëpunimit bilateral kulturor mes vendeve të Evropës Qendrore me Republikën e Kosovës. / KultPlus.com