26 Dhjetor, 2017 - 4:00 pm
Krishtlindjet e shkuara, bota humbi këngëtarin e hiteve të mëdha George Michael. Këngëtari vdiq në moshën 53 vjeçare , pikërisht në Ditën e Krishtlindjeve të vitit 2016, përcjellë KultPlus.
Për familjen dhe miqtë e tij, ai njihej me pseudonimin “Yog”. Familja e tij ndau një kujtesë prekëse një vit pas vdekjes së tij. Duket se ky vit ka qenë mjaft i vështirë për familjarët dhe fansat e tij pasi që zëri i këngëtarit vjen vetëm përmes këngës.
“Këtë vit ka pasur një sërë sfidash të reja dhe të vështira për ata që kemi qenë të afërt dhe besnikë ndaj Yog-it, jo pak prej neve po përgatiteshim që këtë muaj, të dëgjojmë “Last Christmas” dhe “December song” që dëgjohet në dyqane, dhe radiot, siç ka ndodhur për dekada të tëra. Duke e ditur se ai nuk është më këtu me ne, na mungon shumë “, ka shkruar familja në faqen e tij të internetit.
“Kjo Krishtlindje do të jetë e vështirë pa të, por ne e dimë se nuk jemi vetëm në dhimbjen tonë për përvjetorin e humbjes së tij dhe se trishtimi i familjes sonë të gjerë dhe miqve tanë të vërtetë ndahet me shumë prej jush”, kanë shkruar tutje familjarët e tyre.
Fansat dekoruan gjithashtu shtëpinë e Michael në Gorin-on-Thames me lule dhe shënime të shkruara me dorë.
“Yog, i cili e donte Krishtlindjen dhe gjithmonë shpresonte se do të binte borë … do të donte që secili prej jush që e admironte dhe e donte atë, (po – ai e di që ju donit!) që t’i dedikoni atij një çast, për të ngritur një gotë, për të shijuar muzikën e tij dhe për të menduar me dashuri, duke u siguruar që po e shfrytëzoni kohën tuaj dhe të vlerësoni familjen dhe miqtë tuaj, “shkroi familja e tij në letrën dedikuar një vjetorit të vdekjes se tij./ KultPlus.com