17 Korrik, 2023 - 8:31 pm
Shpresa Gashi është këngëtare e njohur, e cila ndër vite ka kultivuar muzikën shqipe, shkruan KultPlus.
Shpresa Gashi rrjedh nga një familje e vjetër qytetare në të cilën është trashëguar nëpër breza dashuria për muzikën dhe artin.
Shkollën e mesme të muzikës e përfundoi në Prizren, ku pastaj edhe filloi të punojë si mësuese e muzikës.
Në vitin 1970 filloi studimet në Akademinë e Muzikës në degën e Teorisë së Muzikës, për t’i përfunduar në vitin 1974. Njëkohësisht jashtë akademisë, me punë plotësuese, bën avancime serioze në perfeksionimin e solokëndimit te profesorët eminentë të kohës, në Zagreb, Shkup e Tiranë.
Më vonë u bë pjesëtare e Ansamblit Profesional, të parit dhe të vetmit në hapsirën e ish Jugosllavisë, i cili kultivonte muzikën e renesansës dhe quhej, Universitas Studiorum Zagrebiensis.
Kurse me themelimin e redaksisë së muzikës në Televizionin e Prishtinës ajo jep kontributin e saj si bashkëpunëtore e muzikës serioze, si ilustratore dhe si drejtuese e emisioneve muzikore.
Disa prej këngëve të saj janë: “Po derdh hana rreze t’bardha”, “Me mall të pashuar”, “Kroi i fshatit tonë”, “Këngë për Nënë Terezën”, “Hedhni valle vasha të reja”, “Mendoj në ty”, “Malli” etj.
KultPlus ju sjell tekstin dhe këngën “Kroi i fshatit tonë” të interpretuar nga Shpresa Gashi:
Kroi i fshatit tonë
ujë i kulluar
c’na buron nga mali
duke mërmëruar(2x)
venë e mbushin ujë
vajzat anëmbanë
qypat o me ujë
ato në dore i kanë/KultPlus.com