Kryevepra shqiptare e botërore në koncertin Filharmonisë së Kosovës nën drejtimin e Dario Salvi

6 Tetor, 2024 - 12:01 am

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, Filharmonia e Kosovës shënoi mbrëmë koncertin e radhës, duke ofruar një performancë mbresëlënëse që konfirmoi edhe njëherë potencialin e rrallë të këtij institucioni. Nën drejtimin e maestro Dario Salvi, orkestra solli një përzgjedhje të pasur dhe të larmishme veprash klasike, të cilat u mirëpritën me duartrokitje nga publiku, shkruan KultPlus.

Koncerti nisi me “Valle antike” të kompozitorit të njohur shqiptar, Vasil Tole, një pjesë e cila pasqyron bukurinë e muzikës folklorike shqiptare përmes një interpretimi të fuqishëm orkestror. Kjo vepër i dha tonin fillestar mbrëmjes dhe i prezantoi publikut një interpretim delikat e të ndjeshëm nga orkestra.

Pjesa tjetër e koncertit ofroi një nga kryeveprat e muzikës botërore, Koncertin për violinë dhe piano të Felix Mendelssohn. Për këtë interpretim, orkestrës harkore të Filharmonisë së Kosovës iu bashkua  violinisti Xhafer Xhaferi dhe pianisti i njohur Jose Gallardo. Dyshja solli një performancë që reflektoi teknikë të shkëlqyer, ndjeshmëri dhe harmoni të plotë me orkestrën.

Për të përmbyllur mbrëmjen, orkestra e Filharmonisë interpretoi “Simfoninë e thjeshtë” të Benjamin Britten, një vepër dinamike dhe plot gjallëri. Ndërthurja e temave të saj të qarta dhe energjike ofroi një mbyllje triumfale të koncertit, duke treguar edhe njëherë aftësinë e orkestrës për të interpretuar një repertor klasik me mjeshtëri dhe përkushtim.

Pas koncerit, dirigjenti Dario Silva, e cila e drejton për të tretën herë orkestrën e Filharmonisë së Kosovcës, u shpreh se është gjithmonë kënaqësi që të punojë me këta artistë.

“Programi sonte ishte shumë i veçantë. U hap me pjesën shqiptare ‘Vallëzim antik’, një vepër shumë e vështirë për t’u mësuar. Na mori kohë gjithë javën. Më pëlqyen meloditë, orkestrim shumë i ndërlikuar megjithatë orkestra e realizoi jashtëzakonisht mirë”,theksoi Dario për KultPlus.

Pas koncertit, për KultPlus foli edhe violinisti Xhafer Xhaferi, i cili kthehet pas një dekade në një koncert në bashkëpunim me Filharmonisë së Kosovës.

“Jam shumë i lumtur që rikthehet pas një dekade në Filharmoninë e Kosovës. Kësaj radhe kemi përzgjedhur të interpretojmë koncertin për violinë, piano dhe orkestër harqesh nga Felix Mendelssohn me pianistin fantastik argjentinas Jose Gallardo dhe jam shumë i lumtur se si shkoi koncerti”,  Kishim një bashkëpunim shumë të mirë dhe orkestrën dhe me dirigjentin Dario Salvi dhe shpresoj të rikthehem në ndonjë moment, ftesë të caktuar”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ju kujtojmë se koncerti i radhës së Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 12 tetor në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare./KultPlus.com

Të ngjajshme