KultPlus sjell Gjon’s Tears në Kosovë, figura e mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”

15 Korrik, 2021 - 2:00 pm

Pas tri edicioneve të suksesshme, KultPlus në muajin gusht po sjell ciklin e katërt të mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”.

Ky cikël do të jetë tejet special pasi mysafiri i kësaj nate do të jetë Gjon’s Tears, këngëtari me origjinë shqiptare i cili përfaqësoi Zvicrën në edicionin e sivjetmë të Eurovision-it, duke i dhuruar shtetit zviceran vendin e tretë, e shqiptarët duke i bërë më shumë se krenarë me spektaklin që dhuroi në këtë mbrëmje dhe suksesin e shënuar.

Ardhja e tij në Kosovë do të jetë një datë e shënuar për fansat e tij të shumtë dhe kjo njëherit shënon edhe performancën e tij të parë në Kosovë me publikun e secilës ai mezi pret të takohet.

“Ta zbardhi ftyrën” është një mbrëmje artistike ku KultPlus sjell personalitete të cilat krijojnë dhe kanë sukses jashtë Kosovës, për të na treguar për sfidat, vështirësitë dhe rrugëtimin e tyre. Emërtimi i debatit nuk asocon me asgjë tjetër, pos idesë se artistët kosovarë e shqiptarë mund dhe arrijnë të kenë suksese edhe në shtetet tjera evropiane ku depërtimi është shumë më i vështirë. A ekziston ende shprehja “na e zbardhe ftyrën” dhe a veprojnë artistët bazuar në këtë thënie, do ta zbulojmë edhe me Gjonin në këtë mbrëmje speciale ku Gjoni përveç që do të ketë një diskutim të hapur me audiencën, ai do të performojë para publikut me një repertor të përzgjedhur.

Ardiana Pajaziti, drejtoreshë e KultPlus ka njoftuar se Gjon’s Tears do të jetë në Kosovë në muajin gusht.

https://www.youtube.com/watch?v=jznH_fltcYA

“Tashmë e kemi të konfirmuar se Gjon Muharremaj, i njohur si Gjon’s Tears do të jetë artisti i radhës i mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën”. Pas tri edicioneve të suksesshme ku kemi pas artistë mjaftë të rëndësishëm nëpër shtete të ndryshme të botës, edhe këtë vit po e sjellim artistin shqiptar që po vlerësohet si artisti më i suksesshëm i këtij viti”, ka thënë Pajaziti, e cila ka thënë se për detaje më të hollësishme do të njoftojë me kohë.

Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Gioranci dhe Erza Muqolli, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare. / KultPlus.com

.

Të ngjajshme