16 Gusht, 2021 - 2:46 pm
Edicioni i katërt i mbrëmjes artistike “Ta zbardhi ftyrën” që mbahet nën organizimin e gazetës online për art dhe kulturë “KultPlus”, do të shënohet në fund të këtij muaji, duke sjell artistin kosovar Gjon Muharremaj, i njohur si “Gjon’s Tears”, shkruan KultPlus.
Ardianë Pajaziti, drejtoresha e KultPlus ka shpjeguar se kjo mbrëmje artistike do të mbahet më 23 gusht, në Bibliotekën Universitare të Kosovës.
“Për shkak të rrethanave pandemike, jemi detyruar që kjo mbrëmje të bëhet me masa kufizuese, ku të pranishëm mund të jenë vetëm ata që kanë ftesa”, ka thënë Pajaziti, e cila është shprehur të jetë e kënaqur që KultPlus po sjell Gjon’s Tears në Prishtinë, i cili në Evrovizion, me vota të jurisë profesionale doli të jetë i pari, por votat e publikut atë e renditën të tretin.
Mbrëmja artistike ku do të ketë edhe bashkëbisedim me Gjon Muharremaj, por edhe performancë do të mbahet prej orës 19:00, ku të pranishmit do të kenë rastin ta përcjellin nga afër këtë mbrëmje artistike në kuadër të projektit “Ta zbardhi ftyrën”.
Kujtojmë që në edicionet paraprake në “Ta zbardhi ftyrën” mysafirë ishin artistët e njohur si: Sislej Xhafa, Imer Kutllovci, Flaka Goranci dhe Erza Muqolli, të cilët edhe kanë një karrierë të pasur në botën ndërkombëtare. / KultPlus.com