23 Janar, 2019 - 10:43 pm
Alberina Haxhijaj
KultPlus ka vazhduar me ciklin KultWoman me…” për të sjellë këtë herë para publikut rrëfimin e pianistes Lejla Pula. Rrugëtimi i saj është i ndarë pothuajse njëlloj si historia e Kosovës, mirëpo ajo që e ka shoqëruar këtë pianiste gjatë gjithë kohës është dashuria e madhe për pianon.
Në kohën kur Kosova ishte pjesë e Jugosllavisë, Lejla Pula së bashku me pianistë e instrumentistë të tjerë merrte pjesë nëpër gara të ndryshme që zhvilloheshin edhe jashtë vendi. Lejla Pula në këto gara, rrëmben edhe çmimet e para, shpeshherë duke u përballur me problemin e nacionalizmit. Mirëpo ajo që e ka ndihmuar pianisten sipas saj është fakti se muzika është gjuhë universale dhe një urë e cila i lidh njerëzit.
Disa vite më vonë në Kosovë tensionohen raportet me Serbinë dhe në vitet 1991-1999 në Prishtinë ndalohen aktivitetet kulturore, duke filluar një jeta kulturore nëpër vende të improvizuar. Dashuria e madhe sjellë një luftë të re, një rezistencë artistike njëlloj sikur rezistenca në arsim dhe mësimi që bëhej nëpër shkolla. Vendosur në shoqatën e kompozitorëve, Lejla Pula vazhdon punën me nxënësit të cilët ajo i kujton edhe sot. Suksesin nxënësit e saj e dëshmonin në gara të ndryshme duke përfshirë këtu edhe një në Paris. Një dalje dhe një përfaqësim i suksesshëm në një kohë kur punonin ilegalisht. Përderisa kolegët e pianistes me të cilët ajo kishte përfunduar studimet kishin klasat e tyre në teatrot e Operave dhe Baletit në vende të zhvilluara evropiane, Lejla Pula përballej me ushtrinë serbe e cila shpesh herë kontrollonte këtë shoqatë.
Në një vend te tillë evropian, në Austri, Lejla Pula zhvendoset gjatë luftës në Kosovë, si një refugjate e cila tashmë fokusin e saj e vë tek hulumtimet dhe studimet pedagogjike duke mos harruar as vendlindjen. Nga larg ajo organizon edhe koncert bamirës për të ndihmuar refugjatët kosovarë. Një koncert për të cilin ishte përgatitur në një dyqan ku shisnin piano.
“Në Austri jam njoftuar me një mënyrë tjetër te të menduarit dhe një mënyrë tjetër të muzikimit pasi që populli gjerman e veçanërisht austriakët kanë një karakteristikë të veten. Një botë për të cilën bërë hulumtime së bashku me dy universitet e që më mundësoi të njihem me shkencat muzikore të cilat tek ne nuk ekzistonin. Një e veçantë tjetër gjatë kësaj kohë ishte mundësia që të ndjek koncerte si dhe të koncertojë e të takojë shumë miq e kolegë”, thekson ajo.
Pas disa viteve Lejla Pula mbetet duke udhëtuar shpeshherë nga Austria për në Prishtinë ku pas luftës fillojnë festivalet e para dhe hapja e institucioneve të kulturës përsëri. Pikërisht në këtë kohë Lejla Pula së bashku me miqtë e saj si Sihana Badivuku, Rafet Rudi apo Besa Luzha arrijnë deri të iniciativa e formimit të Asociacionit Kosovar “Chopin” dhe festivalit “Chopin Piano Fest Prishtina”- një festival i cili ka sjellë emra të njohur të koncertimit pianistik në Prishtinë.
Pianistja Lejla Pula e cila mësimet i mori nga shumë profesor rus të cilët në kohën e studimeve të saj ligjëronin në Prishtinë tashmë ka 37 vite si një ligjëruese pranë Fakultetit të Arteve. Gjatë studimeve ajo shpeshherë është ndeshur edhe me sugjerimet e njerëzve që duhet që të regjistrojë shkencat natyrore pasi që si pianiste nuk do të arrijë shumë.
“Shkencat natyrore ishin shumë ‘in’ atëherë ndërsa shkencat shoqërore jo. Mendonin se ato ishin shumë të lehta. Shpeshherë me kanë thënë çfarë sheh ti tek pianoja. Ajo ishte një situatë kur ty nuk të është dashur vetëm që të punosh mirëpo edhe që ti bindesh njerëzit që kjo është diçka fisnike dhe shumë e vështirë. Nuk është njëlloj sikur të dëgjosh muzikë dhe sikur të interpretosh pasi që pikërisht tek kjo e dyta fillojnë sfidat e këtij profesioni”, thekson ajo.
Duke kujtuar këtë fillim të saj, Pula potencon se është shumë e rëndësishme që të vërehet që në fillim, në fëmijëri, aftësitë që ka një njeri në mënyrë që aty të fokusohet e gjithë energjia. Sipas saj nëse njerëzit nuk janë të lumtur për një zgjedhje të tyre atëherë asnjëherë nuk është vonë për të ndërruar drejtimin, mirëpo çdo herë duke nderuar zgjedhjet e tjetrit.
“Kur mbërrin dikush diçka tek ne këtu në Kosovë nuk duhet nënçmuar. Shpeshherë hasim në momente kur dikush nga ne duhet që të bëjë karrierë jashtë vendit pasi që vetëm atëherë ne e njohim, ndërsa sa ishte këtu tek ne, ne nuk e vlerësonim. Jam e vetëdijshme për këtë mangësi dhe mundohem me mish e me shpirt me e dallua potencialin tek interpretuesit e ri. Ajo çka me pengon është se ata nuk e shohin perspektivën në Kosovë dhe kjo ka marrë përmasa të mëdha në Kosovës”, u shpreh ajo.
Lejla Pula duke diskutuar për rëndësinë e pedagogjisë dhe mësimdhënies thekson se është e rëndësishme që përveç pedagogjisë të ketë edhe koncertim pasi që ato janë plotësuese.
“Muzika është sikur një valë që të merr, një fuqi shumë e madhe e cila nuk të lëshon më. Dashuria e madhe për pianon është për mua si një flakë e ndritshme e cila asnjëherë nuk fiket”, theksoi ajo.
Në anën tjetër duke falënderuar për këtë organizimi, KultPlus-in, Pula u shpreh se fatkeqësisht disa nga titujt e lajmeve akoma mbesin të njëjta edhe pas shumë viteve. Ajo këtu aludoi në titullin ‘Prishtinës i duhet një piano dhe një sallë koncertale’ të “Zërit të Rinisë”. Duke vënë me këtë në pah një plagë të vjetër të komunitetit artistik.
“Më ka ardhur keq për mendimet e disa kolegëve që i njoh moti, kohëve të fundit kur ishte debati për sallën koncertale. Ne duhet që të jemi më të gjerë shpirtërisht dhe të njohim kualitetin e njëri-tjetrit. Këtu më shumë jemi të prirë për të kritikuar në vend që të njohim një rezultat të cilin duhet vlerësuar. Fakti që dikush bëhet i shkëlqyeshmen nuk nënkupton që ju nuk jeni, thjeshtë nënkupton që njerëzit duhet përkrahur njëri-tjetrin”, potencoi ajo.
‘KultWoman me…’ është projekt i implementuar nga KultPlus, financuar nga ‘Culture for Change’ – program i Bashkimit Evropian në Kosovë./ KultPlus.com