19 Shkurt, 2023 - 11:30 pm
Luiz Ejlli ka përfaqësuar në vitin 2006 Shqipërinë në Eurovision me këngën “Zjarr e ftohtë”, kompozuar nga Klodian Qafoku, orkestruar nga Klodian Qafoku dhe Edi Balili e me tekst të Dr. Florit.
Në edicionin e parë të talentshow “Ethet e së premtes mbrëma” u spikat talenti i tij si këngëtar i cili arriti në pesë më të mirët. Në edicionin e dytë të këtij spektakli ai fitoi çmimin e parë.
Pastaj, Luizi mori pjesë në festivalet e këngës në RTSH dhe në vitin 2005 fitoi çmimin e parë me këngën “Zjarr dhe ftohtë”, ku në vitin 2006 mori pjesë në Eurovizion me këtë këngë.
KultPlus ua sjell më poshtë një tjetër këngë të jashtëzakonshme, kënduar nga Luiz Ejlli dhe Ardit Gjebrea. Teksti nga Zhuliana Jorganxhi është një perlë më vete, por e kënduar nga këta dy zëra, teksti shkon në një nivel tjetër, duke zgjuar kështu emocione të mëdha e ndjenja të pakrahasueshme.
Nga Zhuliana Jorganxhi
Jeto dhe jetën time po e deshe,
Eja dhe merre, veç jeto.
Ata që s’duan dashurinë,
Nuk dinë seç është mirësia.
Folenë e ngrenë në errësirë,
Edhe mbi ty lëshojnë stuhira.
Se jane mësuar të zvarriten,
Të të helmojnë, pastaj të vdesin.
Pa prekur trupin tënd të ngrohur,
Nga afshi i puthjesh, ledhatimit.
Dhe pena ime nis e shkruan,
Kaq e lodhur nga mundimi.
Kërkon nga ty dhe merr dy fjalë,
Dhe ndalet lumi i zemërimit.
Të dua, të dua, të dua,
Oh, këngë hyjnore e kësaj bote.
Që pëshpëritet nga buzët e dashuruara,
Që frymë ty të dhanë.
Shumë të kërkova gjersa të gjeta.
Dhe nëse vdes mos u trishto,
Por, ti jeto!
Nëpër rrugët e dashurisë,
Enden këngët dhe legjendat.
Nëpër vargjet e poetit,
Zemrën ta njoh.
Dhe në vija pentagramesh,
Derdhet shpirti i një artisti.
Por diçka pa thënë ka mbetur,
Le të tjeret ta tregojnë.
Dhe jetën time po e deshe,
Eja dhe merre,
Por, ti jeto… / KultPlus.com