28 Shkurt, 2019 - 6:51 pm
Aktori Enver Petrovci sot e ka datëlindjen, dhe mbushë plot 65 vjeç.
Petrovci lindi më 28 shkurt 1954 në Prishtinë. Në fillim studioi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë në degën e aktrimit, më pastaj mbaroi studimet Universitare për aktor edhe në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Ka arritur karrierë shumë të suksesshme në teatër, sidomos në atë “Atelieja 212” dhe me rolet e luajtura aty u bë i njohur nëpër mbarë ish Jugosllavinë duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Pas mbarimit të luftës e vazhdoi me sukses karrierën artistike në Prishtinë e në qendra të tjera shqiptare.
Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare.
Ai madje ka provuar edhe të këndojë. Në fund të vitit 2014-të, në Festivalin e Fundvitit në TVSH ai morri pjesë me këngën “Të vranë bukuri”.
Ai bashkëpunoi në këtë projekt muzikor me Riza Dolakun dhe Alfred Kaçinarin, duke e performuar dhe patjetër duke aktruar në këtë festival.
Nëse do të fitonte, Petrovci do të na përfaqësonte në Eurovizion, por atë vit festivalin e fitoi Elhaida Dani.
Petrovci është një ndër themeluesit e degës së Artit Dramatik dhe Akademisë së Arteve në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989, ai kthehet nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në këtë Universitet dhe formon kuadro të reja të aktorëve në Kosovë. / KultPlus.com