21 Gusht, 2018 - 9:30 pm
Në kujtimet e artistëve bashkëkohës me të, Luçie Miloti vjen si një këngëtare e veçantë. Skenën e pushtonte vetëm me zërin e saj, sepse asnjëherë nuk i përdorte gjestet shoqëruese.
Në repertorin artistik të saj numërohen 500 këngë të cilat këngëtarja i ka përcjellë edhe në botën e huaj. “Çila sytë, due me te pa”, “Për mue paska kane kysmet”, “Bishtalecat palë palë”, “Shpend ma i parë i bukurisë”, “Zanusha”, “Me zaman asaj furije?, “Çu çue Rushja”, etj do të ishin disa nga këngët që dëgjoheshin nëpërmjet Radio Tiranës.
Luçie Miloti në karrierën e saj ka marrë pjesë në festivale kombëtare dhe ndërkombëtare, si në skenat e shume kryeqyteteve të Ballkanit dhe madje të botës. Në Varshavë është vlerësuar me titullin “Bilbili i Ballkanit”, ndërsa në Bullgari muzikologët e kanë cilësuar si “Bilbili me zë kristalor”. Për kontributin e saj muzikor, më 1961 ka marrë titullin “Artiste e Merituar” dhe urdhrin “Mjeshtër i madh” nga ish-Presidenti Rexhep Mejdani. Me vendimin e Bashkisë së Tiranës, një rrugë e Tiranës merr emrin e këngëtares së mirënjohur Luçie Miloti.
Ndër interpretimet e shumta të Luçie Milotit, i mrekullueshëm është edhe dueti me këngëtarin e njohur të muzikës popullore qytetare shkodrane, Xhevdet Hafizin, të cilët së bashku e sjellin këngën “Kur perëndon dielli”.
Përveç me Luçie Milotin, ai ka kënduar edhe në duete të tjera me Naile Hoxhën e Florinda Gjergjin. Këngë të kënduara prej tij janë “O bylbyl” apo “Tri vjet që u deshtem bashkë”.
Xhevdet Hafizi renditet ndër këngëtarët më të njohur të këngëve qytetare shkodrane. / KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=LwBfebgMvgo