2 Gusht, 2022 - 12:52 pm
Gjakova zë një vend të rëndësishëm në përgjithësi në kulturën shqiptare, në veçanti në lëmin e muzikës duke na dhuruar kështu zëra të pavdekshëm, shkruan KultPlus.
Kënga e vjetër popullore “Kush ma i pari bani” kënduar nga Qamili i Vogël dhe Mazllom Mejzini është një perlë në vete.
Kënga përmban një tekst madhështor që përçon vuajtjet e emigrantit dhe dhimbjen nga largimi i gjirit familjar.
Varianti që sot po e sjellim për lexuesit tanë i përket një koncerti live në ShBA në vitin 1972, ku këndojnë Qamili i Vogël dhe Mazllom Mejzini.
Teksti i këngës:
I: Kush ma i pari bani
More djal gurbetin? :I
I: Allahi o mos ja dhashtë
Kurr-o selametin! :I
Pik ma s’parit dola
pa buk me shkoj dita
jabanxhi qellova
kujt me i lyp nuk dita
Tri ditë ymër i kena
Në këtë tokë fallxhore.
Edhe këto të mjerat
Në gurbet na i more.
Borë e shi tuj ramun
Në fushë më zu nata
Pa kurgja m’u mlu’mun
Jastyk guri pata.
Kryet asht tuj mdhimtun
kush ma freskon ballin
medet gyrbetqari
kush nuk ja din hallin
Për midis nji pylli
Hajnit më kan dale.
M’i kan ngrehë martinat
Me zor donë me m’ndalë.
N’kto siklete t’mija
Nanën e kujtova.
Ajo thot e mjera:
– Vetëm, qysh e lshova?
Ulurojshin malet
Ujqt’ e zi untue.
Gjithë më bante zemra
Se don me m’coptue. / KultPlus.com