15 Nëntor, 2023 - 8:28 pm
Shpresa Gashi është ndër këngëtaret e para shqiptare të muzikës së mirfilltë shqipe, shkruan KultPlus.
Shpresa Gashi rrjedh nga një familje e vjetër qytetare prej së cilës edhe e ka trashëguar dashurinë për muzikën dhe artin në përgjithësi.
Shkollën e mesme të muzikës e përfundoi në Prizren, ku pastaj edhe filloi të punojë si mësuese e muzikës.
Në vitin 1970 filloi studimet në Akademinë e Muzikës në degën e Teorisë së Muzikës, për t’i përfunduar në vitin 1974. Njëkohësisht jashtë akademisë, me punë plotësuese, bën avancime serioze në perfeksionimin e solokëndimit te profesorët eminentë të kohës, në Zagreb, Shkup e Tiranë.
Më vonë u bë pjesëtare e Ansamblit Profesional, të parit dhe të vetmit në hapsirën e ish Jugosllavisë, i cili kultivonte muzikën e renesansës dhe quhej, Universitas Studiorum Zagrebiensis.
Kurse me themelimin e redaksisë së muzikës në Televizionin e Prishtinës ajo jep kontributin e saj si bashkëpunëtore e muzikës serioze, si ilustratore dhe si drejtuese e emisioneve muzikore.
Disa prej këngëve të saj janë: “Po derdh hana rreze t’bardha”, “Me mall të pashuar”, “Kroi i fshatit tonë”, “Këngë për Nënë Terezën”, “Hedhni valle vasha të reja”, “Mendoj në ty”, “Malli” etj.
Ndërsa Riza Bytyqi, po ashtu për shumë dekada ka qenë pjesë e tregut shqiptar me muzikë qytetare, hapat e parë drejt se cilës i hodhi qysh në moshën 6 vjeçare.
Talenti i tij për muzikë, më tej u vu në pah me interpretimet e tij programet shkollore të shkollës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.
Paraqitja e parë serioze para publikut ka qenë në vitin e 67-të, kur me shoqërinë kulturore artistike “Bajram Curri” u shfaq në koncertin e Shkollës së Mesme Normale.
Nga repertori i tij shumë i pasur, disa prej këngëve të tij: “Hej çka m’ka gjet”, “Vijnë vaporat”, “Zemra ç’mu dogj”, “Ëndrrat tona të vjetra” etj.
Në vitin 2018, Ministria e Kulturës Riza Bytyqit i ka ndarë “Çmimin për Kultivimin dhe Prezantimin e Këngës Shqipe”.
KultPlus ju sjell një këngë të interpretuar nga Shpresa Gashi në bashkëpunim me Riza Bytyqin:
‘Kush të tha se unë s’të du’