24 Shkurt, 2018 - 7:15 pm
Kishte vendosur që të hiqte dorë, por nuk ia kishte thënë askujt. Nuk e bëri publike, sepse nuk ishte i bindur. Ishte një dëshirë e brendshme që sa e bindtte për ta lënë muzikë, aq edhe e thërriste për t’u rikthyer. E nisi me shumë fat, qysh në vitin e largët ’88, kur “E duam lumturinë” fitoi Festivalin dhe 30 vjet më vonë, Pirro është po ai: nuk është mësuar të qëndrojë në mesatare. Ai ka triumfuar dhe këtë nuk e vë më askush në dyshim.
Kishte 5 vjet që nuk prodhonte më muzikë, por kërkesës së Elvanës dhe dëshirës për të bashkëpunuar me të nuk mund t’i thoshtë Jo. Aq më tepër, nëse bëhej fjalë për një koncert si ai i atyre përmasave që kishte menduar këngëtarja e njohur e skenës shqiptare. Ishte koha e duhur. Pirro e di se, edhe pse ai nuk kishte menduar se ky rikthim do të vinte në një moment të tillë, këngët e tij u mirëpritën, u duartrikitën, u pëlqyen shumë: “Ndoshta kishte ardhur koha të thoja fjalën time”, – thotë ai për bashkëpunimin e fundit me Elvana Gjatën.
Elvana ishte një arsye e fortë për t’y rikthyer, por nuk ishte e vetmja. Siç tregon Pirro, edhe dikush tjetër kishte kohë që i lutej të vazhdonte të krijonte muzikë: “Unë e kisha mbyllur me muzikën. Kështu kisha menduar, por gjërat erdhën në mënyrë të atillë që më bënë të kuptoj se tani ishte momenti. Ndoshta i vetmi person që më bindi të rikthehem ishte edhe mamaja ime, sepse ishte i vetmi person që besonte tek unë.”
https://www.youtube.com/watch?v=zRCJ2ql4czw
Edhe pse tha në koncertin e saj se “unë sërish do largohem”, Pirro nuk është i bindur as për këtë. E pranon hapur që suksesi është joshës dhe të bën që të vijosh më tej. Ka në plan edhe disa këngë të tjera për veten, por dëshiron t’i bëjë tani, shpejt, duke përfituar nga kjo kohë: “Thashë që do largohem prapë, por me suksesin të vjen edhe dëshira. Po e jetoj pozitivisht këtë periudhë dhe ndoshta po i jap mundësinë vetes. Kam dëshirë për një album…”
… Sepse e ka harruar veten duke kënduar. Ky është momenti më i mirë. Suksesi i Elvanës, edhe një herë vulosi atë që Parashqevia parandjeu 30 vjet më parë. / KultPlus.com