Lahuta shqiptare, kobyz i Kazakistanit dhe piano bashkohen në festivalin “Takimet Muzikore të Dy Botëve”

11 Tetor, 2019 - 1:30 pm

Tre artiste, një nga Shqipëria dhe dy nga Kazakistani, performuan në natën finale të festivalit të 13-të në Shkodër, në një mbrëmje që është titulluar “Universi Nomad” dhe që ka bërë bashkë lahutën shqiptare, kobyzin dhe pianon. Dy virtuoze nga Azia Qëndrore, Aigerim Matayeva në piano dhe Aigerim Yersainova Shuster në vegla instrumentale tradicionale, interpretuan sëbashku me rapsoden e lahutës shqiptare, Lumturije Nonaj.

Ato nuk i bashkon vetëm puna artistike, por pasioni dhe dashuria që traditat e vendit të tyre në art, ti trashëgojnë ndër breza. Lumturije Nonaj, është sot e vetmja rapsode që interpreron ende në lahutë, simbolin instrumental të malësorit shqiptar.

Aigerim Yersainova Shuster dhe Aigerim Matayeva, janë dy artiste nga Kazakistani, por që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Francë, ndërsa kanë prekur shumë skena botërore të artit.

Shuster, trashëgoi nga gjyshja traditën e Kobyzit, simbolin instrumental të Kazakistanit që i përketë shekullit të VII dhe që njihet si pararendës i violinës. 17 vite studimi për pesë vegla muzikore tradicionale, do të shoqëronin jetën e saj që nga fëmijëria e hershme, ndërsa prej disa vitesh jeton në Francë dhe bashkëpunon me Festivalin Francez “Univers Nomad”.

Aigerim Matayeva, është sot profesoreshë pianoje në Konservatorin e Parisit, ndërkohë që ka dhënë koncerte në shumë skena botërore si Francë e Zvicër.

Të treja artistet mbushën me emocione mbrëmjen e djeshme sallën e Teatrit “Migjeni”, ku është mbajtur nata e pestë e edicionit të 13-të të Festivalit Ndërkombëtar “Takimet Muzikore te Dy Boteve”.

Me një eksperincë të gjatë në drejtimin e këtij festivali, ideatorja e tij, Ilda Mara, drejtuese e Organizatës Franco-Shqiptare “Argjiro”, me gjithë modestinë që e karakterizon, pranon se këtë vitë ky festival nuk është i veçantë vetëm pasi ka qenë shumë i suksesshëm, por se kjo finale ka arritur plotësisht misonin e tij, bashkimin e kulturave, artit, trashëgimisë mes Europës dhe Azizë.

Veshja prej malësoreje e Nonaj, tingujt e lahutës, interpretimi brilant i saj, mbajtën të “mbërthyer” me emocione publikun e zgjedhur që kishte mbushur sallën.

Nonaj interpretoi me lahutë “Muji i Varum’, “Gjergj Elez Alia”, “Gjergj Kastrioti”, “Gjergj Fishta” dhe “Prek Cali”.

Artistja Shuster u ndoq me mjaft interes në interpretimin në kobyz, zhetigen, saz syrnay, shan kobyz. Ndërsa, artistja tjetër Matayeva interpretoi në piano pjesë muzikore tradicionale kazake dhe turke.

I magjishëm ka qenë dhe interpretimi mes kobyzit dhe pianos, në disa pjesë, që ka ngjallur emocione tek publiku. Ky koncert u organizua në bashkëpunim me festivalin francez Univers Nomad, Bashkinë Shkodër dhe Qendrën Rinore Arka.

Plotë 14 pjesë instrumentale, të artisteve nga Kazakistani dhe pesë pjesë të luajtura në lahutë, ndërthurën tingujt mes tyre në një mbrëmje që do të mbahet mend gjatë për publikun me shije të Shkodrës. / KultPlus.com

Të ngjajshme