24 Shkurt, 2021 - 1:35 pm
Dokumentari i ri i cili flet për yllin e muzikës Tina Turner, më në fund është bërë me datë të lansimit.
Ky projekt i cili e rrëfen jetën dhe karrierën e këngëtares ikonike, do të shënojë premierën botërore javën e ardhshme në kuadër të Festivalit të filmit në Berlin, kurse në kanalin “HBO” dhe në platformën digjitale “HBO Max”, do të transmetohet më 27 mars të këtij viti.
Lajmi për realizimin e dokumentarit me titull “Tina”, fillimisht ishte bërë publik në vitin 2018 në kuadër të Festivalit të filmit në Kanë. Ai e ekranizon jetën dhe karrierën e ikonës së muzikës, nga suksesi i hershëm në vitet ’60 e deri tek shndërrimi i saj në një fenomen global të muzikës gjatë viteve ’80, transmeton KultPlus.
Pas shkurorëzimit të saj nga bashkëshorti, Ike Turner, në vitin 1978, me të cilin Tina e kishte krijuar edhe grupin muzikor “Ike & Tina Turner”, ajo e bëri rikthimin më të mirë në historinë e muzikës duke e lansuar hitin “What’s Love Got to Do With It”. Kjo ishte kënga e saj e parë e cila u pozicionua në vendin e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira, “Billboard”, në vitin 1984.
Në trilerin e parë të dokumentarit, Turner dëgjohet duke folur për mungesën e nënës së saj që e kishte braktisur si fëmijë, derisa në prapavi dëgjohet melodia e hitit “Proud Mary”.
Intervistat intime me Turnerin në shtëpinë e saj në Zvicër, si dhe intervistat me yje të showbizit si Angela Bassett, Oprah Winfrey, Kurt Loder, Katori Hall dhe bashkëshorti i saj Erwin Bach, po ashtu përfshihen në këtë dokumentar, bashkë me pamje, foto dhe audio-incizime të cilat nuk janë shfaqur kurrë më parë për publikun.
Gjatë kohës sa ishte pjesë e grupit “Ike & Tina Turner”, nga viti 1960 deri më 1975, ajo i kishte realizuar 20 këngë të cilat shënuan suksese të mira në toplistën e 100 këngëve më të mira. Ndërsa si solo këngëtare, ajo i lansoi 40 hite të cilat i pozicionuan në maje të kësaj topliste, përfshirë këtu këngën “What’s Love Got to Do With It”.
Ky hit muzikor, në vitin 1985 ia pati fituar Turnerit 3 shpërblime të rëndësishme “Grammy”, në kategoritë të tilla si: “Kënga më e mirë e vitit”, “Incizimi më i mirë” dhe “Performanca më e mirë pop”. “What’s Love Got To Do With It” ishte pjesë e albumit “Private Dancer” të Tina Turnerit, dhe njihet si një prej këngëve të saja më të pëlqyera. Fillimisht, kënga i ishte ofruar këngëtarëve, Cliff Richard, Donna Summer dhe Bucks Fizz, para se Turner ta incizonte atë. Ndërkaq në vitin 1993, emri i këngës ishte shfrytëzuar si titull i filmit biografik të këngëtares së famshme amerikane.
Gjatë karrierës së saj të bujshme në muzikë, Turner i ka shitur më shumë se 100 milionë albume, i ka fituar tetë shpërblime “Grammy” dhe një çmim special i cili i nderon arritjet e saj në muzikë.
Këngëtarja 81-vjeçare kishte dalë në pension menjëherë pas përfundimit të turneut, “Tina! 50th Anniversary Tour”, i cili u përmbyll në vitit 2009, dhe nga atëherë është shfaqur në publik vetëm me rastin e ngjarjeve të caktuara./ KultPlus.com