8 Prill, 2023 - 1:30 pm
Qytetarët e Gjilanit që nga mbrëmja e së premtes tashmë kanë edhe një pjesë identifikuese, pjesë që do ti shoqërojë në ceremoni të ndryshme, qoftë familjare, kulturore e sportive, pasi që këngëtari i famshëm Naser Berisha tashmë ka krijuar himnin e këtij qyteti, himn që përfshinë shumë copëza të këtij qyteti kulturor, duke përfshirë trashëgiminë, kulturën, sportin, por edhe disa personalitete që kanë bërë shumë për kulturën e Gjilanit, shkruan KultPlus.
Lansimi i këngës është bërë në praninë ë shumë artdashësve të Komunës së Gjilanit, ceremoni kjo që është bërë në Vali Ranch të kësaj komune, e që pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, i cili e vlerësoi lart këtë projekt që është mbështetë nga “Global Consulting & Development Associates”, përkatësisht Arsim Vranovci.
Tekstin e kësaj kënge e ka shkruar Naser Berisha e Xhelil Haziri, muzikën Naser Berisha, orkestrimin Rinor Ukimeri dhe mix -master nga Minimalistmusic.
Naser Berisha para një viti ka shënuar rikthimin e tij në muzikë, ku në KultPlus Caffe Gallery në Prishtinë, pat bërë promovimin e albumit “Epikë”, album që ka shënuar poashtu një sukses të madh, kurse “Himni i Gilanit” është projekt me tjetër dimension, pasi që synon që kjo këngë të jetë këngë e të gjithë atyre që kanë rrënjë nga ky qytet i Anamoravës. / KultPlus.com