18 Shkurt, 2023 - 2:00 pm
Nëpërmjet publikimit të këngës “Laufen”, artisti i ri shqiptar i lindur në Stuttgart të Gjermanisë, Dardan Mushkolaj, pikërisht në pesëmbëdhjetvjetorin e Pavarsisë së Kosovës, përmes vargjeve e pamjeve ka sjellur ndërmend fatet njerëzore dhe sakrificën për liri, shkruan KultPlus.
Kënga e re “Laufen” e reperit të njohur shqiptar Mushkolaj, e kënduar në gjermanisht, shpalos pamje të refugjatëve që detyrohen të largohen nga vendi i tyre për shkak të luftës.
Protagonist në klipin e këngës është edhe vetë Mushkolaj, i cili përmes refrenit në shqip:
“Më ka marrë malli për ty
Malli për ty
Malli për ty
Më ka marrë malli për ty
Malli për ty”, ka dashur t’i tregojë publikut gjerman dhe atij ndërkombëtar dhimbjen e madhe që shqiptarët kanë përjetuar në luftën e fundit dhe se gjurmët kanë mbetur ende të pashlyera.
Titulli i këngës në shqip do të thotë “Vrapo”, me të cilin Dardani rikujton thirrjet e refugjatëve për mbijetesë, por në të njëjtën kohë, tash, duket edhe si një ftesë për ikje nga traumat dhe pasojat që ka lënë lufta në Kosovë.
Videoklipi është realizuar nga produksioni “Fati Tv”, produksion ky i cili ka realizuar edhe shumë videoklipe të tjera të këngëtarëve me famë ndërkombëtare.
Pjesë e klipit të këngës janë artistë të njohur shqiptarë, mes tyre edhe aktorja e mirënjohur Molikë Maxhuni e cila vjen në rolin e nënës. Përgjatë rrugës përjeton plot tmerre e njëra ndër to është edhe ndarja nga bija e saj, duke ikur nga kjo botë. Ndaj kësaj pjese i është dedikuar edhe shumica e tekstit të këngës. Në anën tjetër ngushëllimi i vetëm për babain, mbetet fakti se për shkak të moshës, bija e tij ende nuk është e aftë të kuptojë se çfarë po ndodh vërtetë.
Kënga vie si një pasqyrë e historisë së Kosovës, të cilën e ka shpërndarë edhe vetë reperi Mushkolaj, duke i uruar ditëlindjen Kosovës.
“Kjo këngë është për të gjithë njerëzit në këtë botë që kanë kaluar kaq shumë dhe nuk do ta harrojnë kurrë sa e vështirë ishte. Le të shohim përpara dhe ta duam dhe respektojmë njëri-tjetrin. Le të vazhdojmë të ecim dhe të përpiqemi ta bëjmë këtë botë një botë më të bukur. Siç tha dikur Mahatma Gandhi: “Një sy për një sy vetëm e bën të gjithë botën të verbohet”. Urime Pavarësia”, shkruan ai.
Kënga tashmë gjendet e lansuar në të gjitha aplikacionet dhe KultPlus ua sjell këngën të cilën mund ta dëgjoni e përjetoni më poshtë, si nga ana melodike ashtu edhe nga ajo vizuale. / KultPlus.com