12 Maj, 2018 - 11:25 am
“Kori i Kosovës përplot me befasi” është titulli i artikullit dedikuar Korit Siparantum, nga gazeta franceze L’est Republicain.
Kori Siparantum ka dy vite që është themeluar në Pejë ndërsa në Francë janë duke përfaqësuar Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve Botërore “NANCY voix du monde”. Kjo është hera e parë që Kosova paraqitet në këtë festival i cili mbaron nesër, shkruan KultPlus.
Artikulli i publikuar zbulon tri gjërat të cilat sipas tyre çdokush duhet ti dijë për këtë kor. Fillimisht ata flasin për laramaninë e gjeneratave në këtë kor, anëtarët e të cilit janë nga 17 deri në 67 vjeç. Numri i anëtarëve është 50 mirëpo jo të gjithë kanë pasur mundësinë që të vijnë në festival.
Tutje artikulli vazhdon duke treguar se Kori është për herë të parë në Francë dhe kjo është hera e dytë që Siparantum performon jashtë vendit. Artikulli përfundon duke lavdëruar punën e korit dhe sidomos repertorin që ata kanë.
“Në Nancy të martën ata u pritën me duartrokitje të mëdha”, thekson Claude Larose. Presidenti i Croissants d’Or ishte i mahnitur nga repertori i korit Siparantum.
Repertori i Korit Siparantum ka vepra të epokave të ndryshme të gërshetuar në vete, që nga ato tradicionale e deri te ato moderne. / KultPlus.com