20 Shtator, 2018 - 4:55 pm
Gili Hoxhaj
Me një skenografi shumëngjyrëshe, nisi edhe mbrëmja e koncertit solilstik të artistit të suksesshëm e shumëdimensional, Luburn Jupollit. Instrumentet e vendosur në skenën e Kino Armatës po mbuloheshin nga ngjyrat e ndezura, ku dominon fort e kuqja, e vjollca të cilat reflektohen edhe më shumë në sytë e të pranishmëve kur ndesheshin me perdet e errëta, shkruan KultPlus.
Derisa publiku zë ulëset poshtë skenës, atje ngjitet Liburn Jupolli. Duke u bindur për funksionalizimin e të gjitha instrumenteve në skenë, ai zë vend e ulet. Nga ndriçimi që endet brenda skenës në harmoni me tingujt, edhe nga largësia, lehtë dallohet shprehja e fytyrës së Liburnit, lëvizjet e kokës herë i përqendron poshtë e herë lartë, ndonjëherë dhe duke e tundur kokën nga të dy anët, varësisht nga ritmi i tingujve. Duke ecur me ndjesinë e tingujve që po “pushtonin” secilën pjesë të sallës, sytë jo rrallë gjatë koncertit, do t’i qëndronin mbyllur, në përhumbje të krijimit momental. Për publikun e “Kino Armatës” kjo ishte një performancë ndryshe, duke qenë se vetë Jupolli shquhet për veçantinë e tij krijuese.
“Gravitas” u titullua koncerti që priti publikun përmes dyerve të “Kino Armatës”. Gravitas (lat. Graviteti), në kontekst shkencor, është fenomeni natyror ku të gjitha gjërat me masë ose energji i afrohen njëra tjetrës; në shoqëri, kjo fjalë përshkruan dikë ose diçka që ka peshë dhe rëndësi. Pikërisht mbi zbërthimin e këtij koncepti, hapësira dje u shndërruar në qendër të toneve dhe harmonive, ku zhurma unifikohet dhe bëhet dimenzionale, duke krijuar platformë me rëndësi për dialog kulturor.
Liburn Jupolli është kompozitor, pianist dhe inovator në fushën e muzikës klasike dhe zhanret alternative. Ai ka interes specifik në krijimin e instrumenteve të reja muzikore dhe përmirësimin e komunikimit dhe edukimit muzikor, si medium holistik komunikues dhe vegël për mësimin e lëndëve tjera, sikur matematika. Për momentin ai është duke studiuar në Francë, ku ka fituar titullin Master në EdTech, me fokus në zhvillimin e instrumenteve muzikore dhe komunikim në CRI – Centre de Recherche Interdisciplinaire – Paris Descartes, ku gjithashtu është kandidat për doktoratë.
Octo është instrumenti i parë të cilin krijoi në vitet 2009-2010 në bashkëpunim me Ari Lehtela (luthier, ShBA/Finlandë); ai ka 8 tela, 43 fusha mikrotonale, 8 dalje të ndara. Pikërisht përmes këtij instrumenti, ai arriti edhe momentin kulminant të mbrëmjes, duke elektrizuar publikun në çdo prekje ndaj instrumentit. Tingujt lëvizin lirshëm njëri pas tjetrit. Momentin që ngrihet me vete merr kitarën e me tinguj të dendur që ecin të lidhur rrjedhshëm njëri pas tjetrit, Jupolli arrin të elektrizoi publikun. Më pas, derisa ulet, shuplakat e duarve të tij në mënyrë tejet artistike përplasen mbi instrument. E gjithë kjo skenë nuk kaloi pa ngjallur duartrokitjet e publikut në mes të koncertit. Derisa Jupolli ulet përsëri për të nisur rrugëtimin tjetër muzikor që është si një hyrje në një botë shumë ngjyrëshe tingujsh. Dritat që vijnë e ndryshohen pa u takuar me njëra-tjetrën . Ndërsa në një reflektim të shpejtë lëvizin më pas tingujt duket sikur po shpojnë gjithë hapësirën.
Në mbarim të secilës veprës, pas të cilave Jupolli as nuk sinjalizonte kohën e pushimit, dukej sikur tingujt jepnin frymën e fundit, në një bukuri që shkonte drejt shuarjes në çdo tingull që pasonte. Kur ata shkonin në përhumbje edhe drita e gjelbër prapa perdeve të errëta niste e largohej. Më pas ngjallej përmes ngjyrës vjollce mes zërave që ndërvepronin në prapaskenë e tingujve.
Në mes të veprave që vinin si një përzierje zhanresh, kishte të përfshira edhe elemente të këngëve folklorike, që ndërthurnin një përzierje të mahnitshme me tingujt modern.
Në programin e tij ishin të përfshira veprat: Low Million, Øresund Line, Horisons d’or, KurrizCold Dance, Vortex Maisema, Snarrh, Tout ce que vous savez, mais avec plus d’eau dhe High Million.
Programi përfshinë dy punë nga viti 2015 si dhe ato të fundit, duke kombinuar hapësirat zanore të krijuara nga Octo si solo instrument ‘special’, duke hulumtuar tiparet mikrointervalike të instrumentit në ndërthurje me komponimin specifik ‘special’ për 8 daljet të cilat i ka instrumenti. Octo, si solo instrument, në punët si “Snarrh”(solo version i punës origjinale orkestrale) hulumton urën muzikore të instrumenteve shqiptare dhe ballkanike të cilat kanë një miks të mundësive tonale prej Evropës perëndimore dhe Evropës jug-lindore, duke i kombinuar në vija homogjene të shprehjes dhe në të njëjtën kohë si pejzashe komplekse tonale.
Punët tjera eksplorojnë aspektet totemike repetitive të ISO polifonisë shqiptare dhe këndimit malësor në Kosovë, si reflektim i përsëritjes së perkusioneve afrikane dhe sensibilitetit ballkanik ndaj kompleksitetit ritmik dhe theksit. KurrizCold Dance, Øresund Line dhe Vortex Maisema janë impresione muzikore të strukturave futuristike dhe brutaliste të arkitekturës ballkanike./ KultPlus.com